Duket se një tjetër talent në moshë të re është kthyer në objekt talljesh në rrjetet sociale gjatë Kupës së Botës 2026.
Bëhet fjalë për mesfushorin, Kobi Maino, i cili po “merret nëpër këmbë” për shkak të vendimit të trajnerit të Anglisë, Tomas Tuhel, për të mos i dhënë asnjë minutë lojë. Duhet thënë se Maino zhvilloi një sezon të mirë me Junajtid, por ende nuk ka debutuar në Botërorin 2026. Në tri ndeshjet e fazës së grupeve, Tuhel ka preferuar Anderson dhe Rajs në mesfushë, duke e lënë 21-vjeçarin vazhdimisht në stol. Ky vendim ka nxitur një valë memesh në rrjetet sociale. Tifozët kanë shpikur skenarë humoristikë, duke ironizuar se trajneri anglez do të bënte gjithçka tjetër përpara se t’i jepte minuta Mainot.
HUMORI I RRJETIT – Një nga memet më të shpërndara në rrjet e paraqet Tuhelin të veshur me fanelën e Anglisë, gati të futet vetë në fushë, vetëm që të mos aktivizojë… mesfushorin. Një tjetër meme virale tregon një person që përpiqet me çdo kusht të mos bjerë nga një urë në ujë, me mbishkrimin “Tuhel do të preferonte një situatë të tillë sesa të aktivizonte Mainon”. Një video tjetër humoristike paraqet një njeri që ecën në duar për të mos lagur këpucët, ndërsa përshkrimi ironizon se ‘sapo t’i lagen këmbët, trajneri do të detyrohet të fusë në lojë 21- vjeçarin”.
Këto postime pasqyrojnë pakënaqësinë e tifozëve me mënyrën sesi Tuhel po e menaxhon talentin e ri. Maino në fakt po ndjek një trend që nisi më herët në turne me sulmuesin e Realit, Endrik. Braziliani u bë objekt memesh pasi Ançeloti e la në stol ndaj Marokut, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Megjithatë, Endrik mbrojti trajnerin e tij, duke deklaruar: “Ai nuk do të bëjë atë që është më e mira për Endrikun, apo për tifozët, por atë që është më e mira për skuadrën”. Më vonë, Ançeloti i dha minuta ndaj Haitit dhe Skocisë, duke theksuar se sulmuesi do të ketë një rol të rëndësishëm.
PO Ç’PRITET TANI? – Anglia do të përballet pas disa ditësh me Republikën Demokratike të Kongos në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, ndërsa Brazili do të ndeshet me Japoninë. Si Maino, ashtu edhe Endrik shpresojnë të marrin më në fund minuta në fazën me eliminim direct. Kurse Kombëtaret e tyre do të synojnë të vazhdojnë rrugëtimin drejt finales së dëshiruar aq shumë.
