NGA OLA MITRE*

TIRANË- Mbi 540 fëmijë të diagnostikuar me autizëm ndjekin sistemin parauniversitar në vendin tonë, ndërkohë që në total janë caktuar vetëm 65 mësues ndihmës për t’i trajnuar në mënyrë të veçantë”. Të dhënat janë bërë publike nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, gjatë konferencës së tretë ndërkombëtare “Autizmi-Sfidat e së Sotmes e të Ardhmes”. Vetë Malaj e pranon që shifra e mësuesve, në raport me atë të nxënësve autikë është e vogël, por sipas saj, vitin që vjen do të ketë një buxhet më të lartë për “ndihmësat”. “Kemi caktuar 65 mësues ndihmës në të gjithë Shqipërinë. Është një shifër shumë modeste, po ajo që është pozitive është që kemi iniciuar idenë për ta futur këtë gjë në mënyrë që në 2016-ën, në hartimin e programit të buxhetit të Ministrisë së Arsimit, ta kemi më të specifikuar dhe më të qartë dhe ta kemi të buxhetuar si buxhetim të dedikuar për mësuesit ndihmës në të gjithë drejtoritë rajonale. Pati një ndryshim pozitiv sepse u krijua ajo që quhet komisioni multidisiplinar”, u shpreh Malaj.
DIAGNOSTIKIMI
Përveç numrit të ulët të mësuesve ndihmës, problem mbetet dhe fakti se trajtimi për fëmijët autikë ofrohet vetëm nga qendra private, ndërkohë që shteti deri më tani nuk ofron asnjë trajtim. Por, sipas drejtorit të Politikave të Shëndetit Publik, në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, vitin që vjen, MSH do të mundësojë blerjen e paketave të shërbimit për çrregullimin e spektrit autik nga Fond i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor me qëllim ofrimin e këtij shërbimi falas për fëmijët edhe nga qendrat private të licencuara për këtë qëllim. Po ashtu, sipas tij, është bërë e mundur ulja e moshës mesatare të diagnozës deri në 2 vjeç e 7 muaj (e matur kjo në QSUT) nga 3 vjeç që është në rajon.
SHIFRAT
Ndërkaq, pavarësisht se në vendin tonë nuk ekzistojnë shifra të sakta rreth numrit të fëmijëve të prekur nga çrregullimi i autizmit, sipas presidentes së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha në tre vitet e fundit janë diagnostikuar rreth 700 fëmijë. Të dhënat i takojnë vetëm qendrës që ajo drejton, ndërsa theksoi se problem në diagnostikimin e tyre ishte mungesa e terapistëve në rrethe. “Që nga fillimi e deri më tani, mbi 700 fëmijë nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, janë diagnostikuar dhe kanë marrë programet e trajnimit në qendër. Por shumë shpesh barriera e mungesës së terapistëve nëpër rrethe vështirësonte punën. Falë ndihmës së prindërve që sollën në qendër djem dhe vajza të rinj, psikologë dhe punonjës socialë u krijuan një grup terapistësh në: Fier, në Elbasan, në Sarandë, në Shkodër, e mandej në Prishtinë, në Gjakovë, në Ulqin, në Strugë. Numri i tyre, që sot mbajnë kontakte të ngushta me qendrën ka arritur në 50 dhe përdorin programet e ndërtuara mbi Analizën e Sjelljes”, bëri me dije Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: