TIRANË

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar sot në rubrikën “Opinion” në News24 situatën ekonomike e financiare dhe ndikimin që mund të ketë kriza institucionale mes Presidentit me maxhorancën apo jo në PD.

Malaj tha se presidenti ka të drejtë të kthejë buxhetin dhe se asgjë nuk bllokohet, por se krizat mund të krijojnë pasiguri në vend.

“Buxheti prek të gjithë taksapaguesit. E para, kriza institucionale, maxhorancë me presidentin që nuk është hera e parë, por në këtë rast është më e agravuar, e para në sensin pozitiv duhet të sqaroj që kjo krizë nuk krijon asnjë shqetësim për fillimin mbarë të buxhetit, jo të vitit. Nuk duhet që t’i hedhim benzinë zjarrit që Presidenti bllokoi buxhetin dhe tashmë çdo gjë e keqe që ndodh në ekonomi vjen nga qëndrimi i Presidentit. Jo, sepse ligji i buxhetit e ka qartësuar, në rastet kur buxheti nuk miratohet në kohë, qeveria dhe ministri i financave kanë të drejtë të fillojnë vitin e ri buxhetor mbi bazën e buxhetit të vitit të kaluar, me pjesën proporcionale 1/12 dhe nuk do ketë bllokim pagash, nuk do ketë bllokim pensionesh, nuk do ketë bllokim sigurimesh shoqërore dhe nuk do ketë bllokim dhe të investimit sepse realisht muajt e parë kanë ritme të ulëta. Por problemi është që duke pasur krizën në PD, duke pasur këtë krizë institucionale, ku mungon respekti reciprok midis palëve këto kanë ndikime negative në ekonomi, jo thjesht tek buxheti sepse njerëzit janë të paqartë. Askush nuk e di se ku mund të shkojë agresiviteti mes dy grupeve në PD dhe sa ajo mund të krijojë pasiguri në Shqipëri tek qytetarët. Për mua nuk do ndodhë ndonjë gjë që duhet të na shqetësojë shumë, le ta vazhdojnë deri në fund atë që kanë nisur dhe pas kulmit do vijë ajo kurba zbutëse.

Presidenti ka të drejtë ta kthejë buxhetin. Presidenti nuk është thjesht noter, por ka dhe qëndrimin e tij kur merr vendime për t’u dhënë fuqi ligjeve apo emërimeve të qeverisë. Në përvojën time edhe si kryetar i komisionit të ekonomisë, ndoshta rruga më e mirë e Presidentit për të shprehur shqetësimet e tij do të ishte miratimi në heshtje sepse për ta kthyer një president buxhetin e miratuar nga maxhoranca, ku ligjshmëria e tyre është më e drejtpërdrejt se zgjidhen më drejtpërdrejt, atëherë duhet të ketë shkelje të rënda kushtetuese, ndërsa shkelje parimore që mendoj se buxheti duhet të jetë më i mirë nga pikëpamja sociale, këtu presidenti ka të drejtën e tij, dhe unë kam shqetësimin tim sepse FMN, BB dhe institucionet e tjera dhe në raportet e fundit kanë vërtetuar, madje kanë kërkuar hetime të thelluara për mungesën e eficencës të fondeve të tërmetit, të pandemisë dhe sidomos të projekteve pa konkurs, me kosto të mëdha që janë PPP-të oligarkike”, deklaroi Malaj.

Po si do të jetë viti i ardhshëm nga pikëpamja ekonomike për shqiptarët?
“Kështu që si do jetë viti 2022 pyesin të gjithë dhe normale si puna e të gjithëve shqetësimet vijnë dhe tek ne dhe ka shumë njerëz që thonë po mirë si do jetë 2022. Ne patëm zhvillim pozitiv në 2021 në raport me 2020, kur ishte kulmi i krizës, por kapaciteti i ekonomisë akoma nuk është kthyer në normalitet. Patëm rritje të turizmit, por shifrat janë nën pritshmëri dhe vetë komuniteti i turizmit mendon që ka akoma nevojë të mbështetet dhe të ushqehet. Do të ishte lajm shumë i mirë që të ishte vënë totalisht në kontroll pandemia. Por shikojmë që po kthehen masat bllokuese. Do kthehen në vendet e tjera, do na prekin dhe ne. Nga ana tjetër ka një virus të ri për të cilin ka akoma paqartësi dhe ai mund të krijojë një risk perceptimi për një situatë jo të lehtë në 2022. Edhe vetë FMN dhe BB, vitin 2022 e parashikojnë me një rritje gati 40% më të ulët se 2021, çka do të thotë që ne mund të kemi vështirësi për ritmet e rritjes, për uljen e papunësisë dhe uljen e varfërisë.

Ajo që mbetet kryesore, kemi rritje të inflacionit. Në Amerikë është 6.8% sepse atje ka transparencë për shifrat. Në qoftë se ne themi që inflacioni mesatar në Shqipëri është 3.1%, ai për mallrat ushqimore nuk është aq. Ai për ata që 50-80% të pagave të tyre që i kanë në nivele minimale ose modeste është shumë më i lartë”, tha ish-ministri i Financave.

Sipas tij, një nga kritikat që kanë bërë ekspertët shqiptarë dhe që bëjnë institucionet ndërkombëtare, që u provua dhe nga kanalet se si u ndihmuan ata që u prekën nga tërmeti dhe nga pandemia është që sistemi ynë i mbrojtjes sociale është i dobët dhe kur është i dobët dhe ata bëhen gjithnjë e më të varfër nga rritja e çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm. “Edhe karburantet, po të shikosh makinat, se makina nuk është më një mjet luksi, me këto çmime karburantesh duhet ta mendosh tre herë ta ndezësh apo mos ta ndezësh, por në qoftë se ata e kanë mjet pune, patjetër që do ta përdorin. Kështu që do preken dhe nga kostot”, tha ai.

Lidhur me krizën e energjisë, Malaj tha se gjen me vend këndvështrimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Ai thotë që gjëja e parë, ne jemi në një krizë që duhet të orientohemi nga kursimi. Qeveria këtu thotë do e garantojmë, po kujt ia merr paratë. Pra gjëja e parë që do të ishte dhe me stimuj të ndryshëm ne duhet të përgatitemi që kur ka kriza energjie, kriza ushqimesh, kriza nga fatkeqësitë natyrore, gjëja e parë është ta përdorësh më mirë, me racionalitet. Kursimi të jetë i pari, paketa në ndihmë të shtresave në nevojë e dyta dhe e treta, jo çdo gjë duhet bërë me rritje borxhi. Borxhin shtetëror po e rrisim për shkak të eurobondeve, se të gjitha kompanitë publike si në fushën e energjisë, po si Bashkia e Tiranës, si bashki të tjera, çdo gjë që po kërkojnë për të investuar, po e kërkojnë me garanci shtetërore, çka do të thotë që rritet borxhi. Shqetësimi që kanë ekspertët është që rritja e madhe e borxhit do të shoqërohet me rritjen e kostos. Në momentin që do të rritet kostoja do ta kemi më të vështirë”, u shpreh Malaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb