Qeveria e Malit të Zi ka vendosur pas 4 vitesh të miratojë ambasadorët e rinj , Bernard Çobajt dhe Nebojsha Gjokoviqit në Kosovë dhe në Serbi, duke plotësuar kështu pas 4 vitesh vendet vakante.
Ambasadori i ardhshëm në Beograd mori mbështetje unanime, ndërsa për ambasadorin në Prishtinë nuk votuan deputetët e partive prorusë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq.
Ambasadori i mëparshëm i Malit të Zi në Prishtinë, Ferhat Dinoshi, u largua nga posti i tij më 2020, për shkak se kishte përmbushur kushtet për pensionim.
Ndërsa, ambasadori i mëparshëm në Beograd, Tarzan Milosheviq, u largua nga posti pas ndryshimit të pushtetit në Malin e Zi në vitin 2020. Ai ishte anëtar i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila udhëhoq nga ish-presidenti Millo Gjukanoviq.