Një zjarr i madh ka përfshirë një nga dy rafineritë kryesore të naftës në Australi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e furnizimit me karburant.

Bëhet fjalë për rafinerinë e kompanisë Viva Energy në Geelong, në shtetin e Viktorias, e cila përpunon rreth 120,000 fuçi naftë në ditë dhe prodhon rreth 50% të karburantit të këtij rajoni dhe 10% në nivel kombëtar.

Sipas autoriteteve, Shërbimi i Zjarrfikësve të Viktorias ndërhyri të mërkurën në mbrëmje pas raportimeve për shpërthime dhe flakë të mëdha në objekt. Edhe pse zjarri nuk është shuar plotësisht, ai është vënë nën kontroll dhe ekipet e emergjencës vijojnë punën për izolimin e plotë të tij.

Kjo rafineri është një nga dy impiantet kryesore në vend që përpunojnë karburant për tregun vendas, së bashku me një tjetër në Brisbane, çka e bën incidentin edhe më kritik për infrastrukturën energjetike të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb