Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu e thirrur në interpelancë nga deputeti i Shkodrës, Zef Hila, tha se në gjithë këto vite është bërë një përpjekje e madhe për të incentivuar ngritjen e shërbime sociale për kategoritë në nevojë nëpërmjet Fondit Social të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale në territor.

“Instrumentet e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Social, nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara janë instrumenta që garantojnë qëndrueshmërinë e këtyre shërbimeve. Garantojnë sigurinë për këto shërbime dhe për ata qytetarë që marrin shërbimet të përkujdesit rezidencial apo ditor në rrjetin tonë të përkujdesit shoqëror”, tha Manastirliu.
Duke folur për instrumentin e Fondit Sociale, Manatirliu tha se përmes tij, janë ngritur 35 shërbime sociale.
“Në këto tre vite kemi ngritur 35 shërbime sociale në 32 dy bashki të vendit, duke mbështetur më shumë se 4180 individë të cilët janë individë në nevojë. Duke filluar nga fëmijë në nevojë, adoleshentë në risk, gra të dhunuara, të trafikuara dhe gjithashtu të moshuarit. Fondi Social garanton mbështetjen financiare në masën 90% vitin e parë, 60% vitin e dytë dhe 30% vitet në vazhdim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale në territor, nga bashkitë, nga këshillat e qarkut në bashkëpunim me aktorët në terren”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se përveç instrumentit të Fondit Social, janë edhe shërbimet që ofrohen nga Shërbimi Social Shtetëror, përmes institucioneve të përkujdesit shoqëror në territor.

“Janë 29 institucione të përkujdesit shoqëror që financohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që janë pjesë e strukturave tona të Shërbimit Social Shtetëror dhe mbështesin ata persona të cilët janë të riskuar dhe që nuk kanë mundësi përkujdesjeje nga familja dhe mbështeten nga shteti nëpërmjet shërbimeve rezidenciale të mbuluara dhe të financuara 100% nga shteti”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha gjithashtu se Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara mbështet si një instrument të financimit ngritjen e shërbime sociale në territor.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet pëgjegjësive që ajo ka dhe ligjit organik të buxhetit, në përgjegjësinë për të mbështetur bashkitë në ngritjen e shërbimeve sociale, nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara, mbështet gjithashtu si një instrument i financimit për ngritjen e shërbime sociale në territor, ashtu sikurse ajo ka bërë edhe me qendrën “Besa” në Barbullush të Shkodrës, ku mbështetja prej vitit 2018 për këtë qendër nuk ka munguar. Ashtu si për këtë qendër dhe për 8 qendra të tjera në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, tha Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb