Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën verore në Ksamil, një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit përgjatë zonave turistike. Gjatë fjalës së saj Manastirliu theksoi se fokusi është përqëndruar tek vaksinimi masiv +18 vjeç gjatë gjithë muajit.

“Janë më shumë se 20.000 vizita të kryera në qendrat shëndetësore verore dhe rreth 25% e këtyre vizitave janë shërbime të cilat i janë ofruar turistëve të huaj. Këto struktura jo vetëm kanë një rëndësi parësore në ofrimin e shërbimit, por gjithashtu shmangin fluksin në spitale”,- tha Manastirliu.
Për kapjen e hershme të rasteve me COVID19, në 29 qendrat verore shëndetësore po ofrohet testimi i shpejtë.

“Testet e shpejta janë pjesë e gjithë shërbimeve që ofrohen në këtë qendër dhe në të 29 qendrat e tjera, në një linjë organizative me gjithë strukturat tona të epidemiologjisë në mënyrë që rastet të kapen hershëm, të izolohen dhe sigurisht të ndiqen nga mjekët e familjes për të marrë shërbimin në kohë”, – tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga qendra shëndetësore e Ksamilit se fokusi është tek intensifikimi i programit të vaksinimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë gjatë këtij muaji të hapur të vaksinimit antiCOVID.

“Ne jemi me programin tonë të vaksinimit derë më derë, në pikat e përqendruara dhe në të gjithë pikat tona të njësive lëvizëse, për të mundësuar rritjen e mbulesës vaksinale në këto kohë të qarkullimit të variantit Delta, ku rëndësi parësore merr vaksinimi i të gjithë popullatës. Jemi në muajin gusht dhe tashmë vaksinimi +18 vjeç për gjithë këtë muaj, do të jetë në fokus të punës tonë”, -tha Manastirliu.
Teksa ka ndjekur nga afër trajtimin e stafit të qendrës shëndetësore verore Ksamil për ndihmën e shpejtë, Manastirliu ka falënderuar dhe shprehur vlerësim për gatishmërinë e shtuar gjatë kësaj periudhe të Urgjencës Kombëtare dhe të gjithë stafeve mjekësore.

Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug. Shërbimi është i përforcuar edhe me autoambulancat e vendosura në postacione fikse përgjatë vijës bregdetare, për një përgjigje sa më të shpejtë për emergjencat mjekësore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb