TIRANË

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu iu është përgjigjur nga Spitali Infektiv akuzave të Partisë Demokratike, e cila deklaroi sot se sistemi shëndetësor është në kolaps. Manastirliu është takuar me shefen e Infektivit Najada Çomo e cila ka informuar për gjendjen në spital dhe kapacitetet aktuale.

Manastirliu deklaroi se nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor dhe iu ka këshilluar mjekëve të mos i marrin për bazë deklaratat politike.

“Do të hapim spitalin COVID3, mjekët dhe infermierët i kemi trajnuar, spitali është i gatshëm të hapet sot, nesër, në çdo moment që do të ezaurohen kapacitetet e dy spitaleve të para”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Duke falenderuar mjekët dhe infemrierët e këtij shërbimi për punën e palodhur, Manastirliu deklaroi se mbështetja e qeverisë për stafet mjekësore do të vijojë.
“Nuk dua te dekurajoheni nga ato që dëgjoni. Kam ardhur këtu t’ju jap kurajë të vijoni punën ashtu siç keni bërë deri tani, të jeni të sigurt që mbështetja e qeverisë do vijoj pa u ndaluar ashtu siç ka ndodhur deri tani”, tha Manastirliu.

Teksa ka theksuar se COVID3 dhe COVID4 janë gati dhe me ezaurimin e kapaciteteve në dy spitalet aktuale do të hapen, pas tyre edhe spitalet rajonale janë parapërgatiur në infasrtukturë dhe burime njerezore për ti bërë ballë çdo skenari. Ministrja ju përgjigj përfaqësuesve të opozitës për kapacitetet e sistemit shëndetësor.
“Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor. COVID nuk është lojë, e gjithë bota është në vështirësi. Jemi të përgatitur për disa skenarë. Spitali ‘COVID 3’ do hapet kur të ezaurohen kapacitetet, gjithashtu ndërtuam spitali COVID4 dhe spitalet rajonale sipas disa skenarëve të parapërgatitur. Kemi shtuar kapacitetet në sistem për të mos prekur pjesën tjetër të sistemit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu iu është drejtuar sërish me një apel qytetarëve.
“Shumica janë të mërzitur dhe të lodhur nga pandemia, por duhet kujdes dhe kjo është për të mirën tuaj dhe për të mirën e shëndetit të të afëmve tuaj, ndaj duhet të jeni shumë të kujdesshëm: vendosni maskën, të ruani distancimin fizik dhe të kujdeseni për higjenën”, tha Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb