Kreu i SPAK, Klodian Braho, ngriti shqetësimin për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre, duke theksuar se mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore mund të ndikojë negativisht në vijimësinë e hetimeve dhe në ruajtjen e ekspertizës së krijuar brenda institucionit.
Gjatë raportimit në Kuvend, ai u shpreh se modeli aktual kushtetues, i cili parashikon një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi për prokurorët e posaçëm, kishte një rol të rëndësishëm në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, por tashmë duhet të rivlerësohet.
“Mospërcaktimi i qartë ligjor mundet të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kushtetuta ka parashikuar një mandat 9-vjeçar për prokurorët e posaçëm, pa të drejtë riemërimi. Megjithatë, pas këtyre viteve të funksionimit, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky model garanton mjaftueshëm vijimësinë profesionale të Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi Braho.
Sipas tij, përfundimi i mandatit të prokurorëve nuk prek vetëm karrierën individuale të tyre, por rrezikon edhe humbjen e eksperiencës së specializuar të ndërtuar ndër vite në hetimin e çështjeve komplekse.
“Përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm krijon jo thjesht çështje të karrierës së tyre individuale, por edhe të ruajtjes së eksperiencës së specializuar që është krijuar brenda SPAK-ut. Kjo eksperiencë lidhet me hetime komplekse, bashkëpunim ndërkombëtar, hetim financiar dhe administrim të çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike”, theksoi ai.
