Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka shprehur mbështetje për reformën e re territoriale të prezantuar në Kuvend nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
Në fjalën e tij, Manja deklaroi se nisma është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke iu përgjigjur edhe pretendimeve të opozitës për mënyrën e ndjekur për miratimin e saj.
“Kam shumë pak gjëra për të shtuar pas atij prezantimi të shkëlqyer të projektligjit nga Mazniku. Asnjë pikë e presje s’i heq atij prezantimi shterues”, u shpreh Manja.
Ai theksoi se projektligji, i depozituar më 30 korrik nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, është hartuar në kuadër të punës së nisur nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale.
Sipas Manjës, nisma ligjore është në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës, i cili u jep deputetëve të drejtën për të propozuar nisma ligjore.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve iu referua gjithashtu një vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me reformën administrative-territoriale të vitit 2014.
Sipas interpretimit të paraqitur prej tij, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Kuvendi ka kompetencën për të vendosur ndryshimin e kufijve administrativo-territorialë, ndërsa marrja e mendimit të popullatës është një detyrim, por nuk nënkupton domosdoshmërisht marrjen e pëlqimit të saj.
Manja theksoi gjithashtu se konsultimi me komunitetet duhet të jetë real dhe i dokumentuar dhe se deputetët duhet të kenë mundësi efektive për të shprehur qëndrimet e tyre gjatë procesit.
Duke iu referuar konkretisht ndryshimeve të propozuara në hartën territoriale, Manja iu drejtua qytetarëve të Klosit, duke garantuar se identiteti i qytetit dhe trashëgimia e tij do të ruhen.
“Qytetarë, ju siguroj se pasi të marrë votën në Parlament kjo hartë, Klosi mbetet aty ku është, me historinë, kulturën dhe qytetin e vet. Bashkimi do t’i japë mundësinë ta zhvillojë më tej”, deklaroi Manja.
