Në Maqedoni mbizotëron heshtja para referendumit të së dielës, ku mbi 1.8 milion qytetarë kanë të drejtën për të votuar në referendumin për emrin e ri të vendit të tyre. Rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin. Gjatë fushatës partitë e pushtetit kanë mbajtur takime me qytetarë por jo mitingje të mëdha dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çfarë duhet të vendosin votuesit në referendum.

Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët, e njëri krah i Lëvizjes “Besa” janë hedhur në fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro pyetjes së shtruar aty, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut. Megjithatë opozita shqiptare kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit kanë bërë thirrje për bojkotim të referendumit pasi sipas tyre preken interesat kombëtare dhe vetë identiteti dhe gjuha maqedonase. Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndonëse nuk ka bërë thirrje direkte zyrtare për bojkotin e referendumit, sic duket për shkak të mosmarrëveshjeve brenda strukturave drejtuese, ua ka bërë me dije qoftë përmes medias apo rrjeteve sociale përkrahësve të saj se nuk duhet dalin në referendum Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për emrin, bëri thirrje të hapur të premten nga foltorja e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku mbajti një fjalim, për bojkotin e referendumit.

Sipas tij, Greqia do të ketë një pozitë superiore dhe mbikqyrëse ndaj ndryshimeve që mund të bëhen në Repubikën e Maqedonisë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë vizituan javët e fundit Shkupin për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Që referendumi të cilësohet i suksesshëm mbi 50% e votuesve duhet të votojnë pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”. Sakaq, sot në Maqedoni të drejtën e votës  e shfrytëzojnë personat e sëmurë, të burgosurit si dhe shtetasit që jetojnë jashtë vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb