Pjesa e dytë nisi me zërin e veçantë të këngëtares Mariza Ikonomi, e cila performoi në studio një nga këngët më të bukura të repertorit të saj “Ku është dashuria”.

Dalja e parë e Marizës në skenë shënjoi jo vetëm në karrierën e këngëtares, por e nguliti artisten në memorien e gjithë shqiptarëve. Ajo kujtoi me emocion momentin kur ishte përzgjedhur nga i madhi Françesk Radi, për të kënduar në festivalin e RTSH-së këngën “Telefonatë zemrash”.

Këngëtarja foli për humbjen e Françesk Radit. “Ishte një nga ata njerëzit e dashur të pavdekshëm që nuk kanë për t’u larguar ndonjëherë nga kjo botë. Akoma nuk e besoj që nuk është mes nesh. Më duket sikur do ta takoj. Ishte me një zemër të rrallë që s’e gjen shpesh tek artistët”, tha ajo e emocionuar ndër të tjera.

Këngëtarja e kujtoi si një njeri shumë avangardë, i cili ecte me hapin e kohës dhe e donte artin e vërtetë. Ajo theksoi se kur doli me të në skenë ishte vetëm 10 vjeçe, por Françesk Radi nuk e konsideronte si fëmijë, por si artiste. “Nuk shikonte moshën por talentin, më fliste si e rritur”, këtë gjë ajo tha se e vlerësonte shumë.

Me humbjen e të madhit Françesk Radi, Marizës i duket sikur i është thyer fëmijëria, pasi siç ajo theksoi kantautori ishte vula e fëmijërisë së saj nga aty nisi çdo gjë për të. “Këngën ‘Telefonatë zemrash’ kur e këndoja isha shumë e lumtur, kurse tani e këndoj me lot në sy, më mungon shumë”, shtoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb