Presidenti Ilir Meta teksa ka pritur ambasadoren franceze Christina Vasak në përfundim të mandatit të saj ka folur sërish për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjen e 5 qershorit.

Sa i përket kësaj të fundit, Meta shkruan se do i japë edhe një mundësi të fundit parlamentit njëpartiak ta respektojë pas kërkesës publike të PPE.

Më tej ai thotë se Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve për t’u ulur në Konferencën  e parë Ndërqeveritare me BE për hapjen e negociatave.

Me miratimin e ndyshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor, Presidenti dhe opozita kanë akuzuar Edi Ramën dhe mazhorancën se kanë shkelur marrëveshjen e 5 qershorit e cila është mbështetur dhe nga partnerët ndërkombëtarë SHBA- BE që u ‘investuan’ për arritjen e atij dokumenti.

STATUSI NGA PRESIDENT ILIR META

Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri, prita në një takim, Ambasadoren e Francës, Sh.S.Znj Christina Vasak.

Vlerësova rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë.

Duke e falenderuar për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, konfirmova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë.

Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e mazhorancës së Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit.

Por unë do t’i jap edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Europiane.

Shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb