Në seancën e sotme plenare në Kuvend, është diskutuar marrëveshje me KE për asistencën financiare

Deputetja Jorida Tabaku, në seancën e sotme plenare në Kuvend tha se ka ngritur shqetësimin që qeveria shqiptare ka ndryshuar strukturën e fondeve.

“Duhet të merremi me strukturën që nga ngritur qeveria për të koordinuar fondet. Kjo e copëzon procesin dhe e ndajnë përgjegjësinë duke krijuar më shumë vështirësi, për herë të parë ka ndryshuar katër herë në 8 vite koordinatorin e IPA-s, kjo ka sjellë problem në zbatimin dhe përthithjen e fondeve të IPA . Ne nuk mund të lejojmë që këto fonde të mos përfitohen”, tha Tabaku.

Gjithashtu ajo theksoi se qeveria ka aftësi të ulët për të përthithur fonde të BE, duke shtuar se ky fakt tregon mosgatishmërinë e administratës publike për të ngritur struktura eficente.

“I kërkoj kujtdo që merret me koordinimin e asistencës së IPA që të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të ofrojnë transparencë pavarësisht se kush qeveris”, tha ajo.

FJALA E PLOTE

…specifike duke e ndryshuar koordinatorin kombëtar të IPA-ës nga kryenegociatori, ish-kryenegociatori, në një drejtori të re nën zyrën e Kryeministrit, tëk zoti Ilir Beqaj.
Nuk kam ndërmend që të merrem me cilësitë, por njëkohësisht dhe me integritetin e personit që do të koordinojë fondet IPA, atë ia lëmë institucioneve të drejtësisë që të merren. Megjithëse kryefjala e çdo deputeti socialist në komisione ishte t’i thurim lavde zotit Ilir Beqaj se çfarë lideri i mirë është.
Dua të merrem më shumë me strukturën në fakt që ka ngritur qeveria shqiptare për t’i koordinuar këto fonde. Ndarja e koordinimit të fondeve të Bashkimit Europian dhe koordinatori kombëtar IPA i vendosur në një drejtori të ndryshme nga ajo që koordinon procesin, në procesin teknik, nga një drejtori tjetër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, që e koordinon atë në procesin politik, për mua e copëzojnë procesin, e ndajnë përgjegjësinë politike, teknike, por njëkohësisht edhe atë të koordinimit të fondeve duke krijuar më shumë vështirësi.
Për herë të parë në këto vite, aq kohë sa kam unë që lexoj raporte, qeveria shqiptare e ka ndryshuar në katër herë në 8 vite koordinatorin kombëtar të IPA-s. Duke treguar mungesë qëndrueshmërie, por njëkohësisht dhe mungesë memorie institucionale në këtë proces. Kjo nga ana tjetër, ka sjell problem në zbatimin dhe në përthithjen e fondeve të IPA-s.
Në një situatë të tillë ekonomike, ne si Parlament, nuk mund të lejojmë që fonde të tilla të mos përfitohen. Kam këtu normën mesatare të përfitmit të fondeve të disbursimit nga qeveria shqiptare: 2014 – 70%, 2015 – 55%, 2016 – 75%, 2018 – 26% dhe kështu me rradhë me një mesatare 43%.
Qeveria shqiptare ka aftësinë 1 në 2 fonde të BE-së t’i marr, 1 në 2 euro të BE-së, t’i marr dhe të zbatojë projekte. Kjo aftësi kaq e ulët për të zbatuar fondet e Bashkimit Europian, për t’i pëthithur fondet IPA në një situatë kaq të vështirë ekonomike, kur ne nga ana tjetër i lutemi BE-së për fonde për rindërtimin, për energjinë dhe sa herë kemi nevojë për vaksina, tregon mosgatishmërinë e strukturave të administratës publike dhe të qeverisë shqiptare për të ngritur struktura efiçente, transparente, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, të akredituara nga institucionet e BE-së.
Sot ndodhemi në një situatë të vështirë ekonomike. Unë nuk dua të ndalem tëk treguesit e sektorit të energjisë elektrike të cilët i diskutova gjatë seancën e kaluar, por në një situatë ku borxhi ka shkuar gati 100%, kur kemi pothuajse 500 milionë detyrime të prapambetura nga tërmeti. Dua t’ju rikujtoj që akti normativ për rindërtimin dhe fondet e rindërtimit u përfshinë në buxhet vetëm pak kohë mëparë, ndërkohë që janë tenderuar me kohë. U aktualizuan duke u përfshirë në buxhetin e vitit vetëm pak kohë mëparë.
Detyrimet gjyqësore 385 milionë euro; ekspozim nga sektori i energjisë elektrike shkon pothuajse në 400 milionë euro. Rritja e normave të borxhit, ku 60% varet sigurisht edhe nga elementë që lidhen me tregun e jashtëm e kanë ekspozuar buxhetin ndaj një risku të jashtëzakonshëm. A e kemi ne luksin të refuzojmë fondet e BE-së? A e kemi ne luksin të bëjmë tangërllik dhe të mos pranojmë atë që na vjen në mënyrë të natyrshme si pjesë e procesit të aderimit?

Sot ndërkohë që flasim, strukturat përkatëse për koordinimin e fondeve, duhet të ishin të akredituara për IPA II dhe IPA III. Duhet të ishin të gatshme për t’i përthithur këto fonde, si rezultat i procesit të decentralizimit, duhej të ishin të akredituara dhe të fillonin të merrnin vendime vetë. Ndërkohë që ne jemi në një situatë kur këto janë akoma në proces e sipër rregullimi, janë akoma në proces e sipër akreditimi, janë akoma duke marrë okejin bën apo nuk bën Ilir Beqaj, bën apo nuk bën centralizmi i fondeve.
Unë e shikoj këtë problematike duke pasur parasysh dhe tendencën që ka ndodhur me drejtoritë e tjera. Me drejtorinë e medias, të krijuar përsëri pranë Kryeministrisë; me drejtorinë e fondeve në këtë rast, që tregon një centralizim të funksioneve që në fakt duhet t’i përkiste institucioneve që kanë këtë punë, sektorëve që kanë këtë punë.
Besoj që administrata publike e Shqipërisë, duhej të ishtë gati tashmë më nisjen e këtij procesi, që përveç ngritjes së strukturave përkatëse për negociatat, të kishte dhe struktura të forta, të qëndrueshme për koordinimin e fondeve.
Këto janë disa shqetësime që ndoshta disa prej jush mund t’ju duken teknike, disa prej jush mund t’ju duken dhe elementë të një dore të dytë dhe të një rëndësie të dytë, por besoj që flas në emër të të gjithë kolegëve të Partisë Demokratike kur them që nëqoftë se Shqipërisë i takonte të merrte 434 milionë në tetë vitet e fundit, qeveria ka qenë e aftë që të përfitojë vetëm 240 milionë nga këto për projekte, pra, gjysmën e tyre. Gjysmën që ia heqin mundësinë qytetarëve shqiptarë që t’i marrin në projekte infrastrukture.
Shtuar kjo paaftësisë që ka pasur qeveria shqiptare për të përthithur projekte si rezultat i procesit të Berlinit, dua t’ju kujtoj që të gjithëve që Konferencë, qeveria shqiptare arriti që të marr vetëm projekte të asistencës teknike dhe asnjë projekt infrastrukturor, ashtu siç morën vendet e tjera të rajonit, e krijon një problem dhe një ngërç të madh faktin që ne nuk jemi të gatshëm për të administruar dhe menaxhuar këto fonde.
Për këtë arsyje i kërkoj kujtdo që ka lidhje me këtë proces dhe kujtdo që merret me koordinimin e asistencës IPA, por jo vetëm, të çdo asistence tjetër, që të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të ngrihemi të gjithë si Parlament në lartësinë e detyrës dhe të punojmë sigurisht për t’i përmirësuar këto struktura, për të rritur kapacitetet, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, për të ofruar transparencë dhe për t’i bërë këto të qëndrueshme në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, pavarësisht se kush qeveris. Sot Partia Socialiste, nesër Partia Demokratike.

Këto janë struktura të cilat nuk e kanë luksin që të mos pranojnë, që të mos zbatojnë projektet e BE-së, që të mos kenë aftësinë të mos përthithin fonde të BE-së. Këto janë struktura të cilat sot duhet të ishin gati me hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për të treguar një dinamikë tjetër, ashtu siç duhej të ishin gati dhe strukturat negociuse sipas metodologjisë së re, jo me kapituj, por sipas grupeve të kapitujve.
Besoj që fjalët janë të tepërta, ndonjëherë edhe i kemi përsëritur që kolegët demokrate dhe socialistë t’i dëgjojnë se kush janë argumentet pro dhe kundër, por besoj që ky është një proces që i bën të gjitha forcat politike bashkë, nuk ka asnjë dallim ndërmjet Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste që kjo është e ardhmja, por kemi sigurisht një dallim shumë të madh për mënyrën sesi duhet arritur kjo. Dhe unë nuk bie dakord për mënyrën dhe mjetet që partia socialiste po përdor sepse nuk tregon vullnet politik, atë vullnet politik që qytetarët shqiptar kanë 8 vite që po e presin për procesin e integrimit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb