Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një komunikim për mediat deklaroi se BSH synon të rrisë përfshirjen financiare të popullatës. Më tej shtoi bashkëpunimi ndërkombëtar është i rëndësishëm sidomos kur sfidat janë globale.

“I qëndrojmë besnik objektivit kryesor për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si edhe promovimit të stabilitetit financiar. Synojmë të sigurojmë një sistem avangard dhe bashkëkohor të pagesave. BSH synon të rrisë përfshirjen financiare të popullatës. Theksoj gjithashtu rëndësinë e angazhimit të palëve të treta, bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik kur sfidat janë globale”, tha ndër të tjera Sejko.

FJALA E PLOTË:

Jemi mbledhur sot për të nënshkruar fazën e re të një bashkëpunimi të rëndësishëm mes Bankës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili në emër të Qeverisë Zvicerane zhvillon programin e asistencës teknike në mbështetje të bankave qendrore. Kjo marrëveshje është një tjetër hap kyç drejt përmirësimit të politikave monetare dhe financiare në vendin tonë, për të forcuar më tej ekonominë dhe sistemin financiar të Shqipërisë.

Përpara se të fokusohemi në detajet e kësaj marrëveshjeje, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë ndaj Qeverisë Zvicerane dhe SECO-s për mbështetjen dhe besimin e tyre në Bankën e Shqipërisë. Ky bashkëpunim është një shembull i fuqishëm se si partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë në zhvillimin e institucioneve tona dhe të përmirësojnë kapacitetet tona në fushën e politikave monetare, financiare dhe statistikore.

Angazhimet që do të ndërmerren për tri vitet e ardhshme bazohen në një punë shumë të madhe, të ngritur dhe të pasuruar vazhdimisht gjatë 10 viteve të mëparshme. Në sajë të asistencës suaj në këto 10 vjet, Banka e Shqipërisë ka bërë përparime të konsiderueshme, duke e përmirësuar analizën dhe modelet ekzistuese dhe duke i shtrirë ato në fusha të reja, me të cilat përballet e ndërvepron stabiliteti i çmimeve dhe ai financiar. Së bashku (me SECO-n) kemi investuar në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe kemi përmirësuar metodologjitë dhe praktikat tona të kërkimit shkencor. Kjo ka përfshirë organizimin e seminareve, konferencave dhe vizitave studimore për punonjësit tanë.

Sekretariati i Shtetit për çështjet Ekonomike (SECO) dhe Programi i tij i Asistencës Bilaterale dhe Ngritjes së Kapaciteteve (BCC) është një platformë që e shtrin bashkëpunimin me tetë banka qendrore në ekonomitë në zhvillim. Siç e kam thënë edhe më parë, BCC ofron gjithashtu një platformë të vlefshme komunikimi që përfshin edhe diskutimin në konferenca ndërkombëtare, ku përfaqësuesit e akademisë, institucioneve ndërkombëtare dhe bankave qendrore diskutojnë dhe sjellin eksperiencat më të mira.

Ky mekanizëm është zhvilluar mjaftueshëm për të mundësuar ndërveprimin dhe dhënien e asistencës ndërmjet bankave qendrore të përfshira në program. Ne vërejmë me kënaqësi se përveç konferencave dhe aktiviteteve të qendërzuara në Gjenevë, aktivitetet dhe diskutimet janë shtrirë edhe në vendet pjesëmarrëse në program. Një vit më parë, Banka e Shqipërisë ka pasur kënaqësinë të mirëpresë në Tiranë të gjitha bankat qendrore që janë pjesë e programit, në një konferencë ku diskutuam dhe ndamë eksperiencat në fushën e kërkimit shkencor. Shpresoj që faza e tretë e marrëveshjes do ta rrisë edhe më shumë bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh ndërmjet bankave pjesëmarrëse në program.

Me nënshkrimin e sotëm, ne tregojmë përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të arritur qëllimet dhe objektivat e përbashkëta. Kjo fazë e re fokusohet drejt sfidave të reja makroekonomike e financiare që përcaktohen nga kushtet specifike gjeopolitike. Njëkohësisht, zhvillimet e shpejta në digjitalizim dhe inovacionin financiar paraqesin sfida domethënëse si për autoritetet, ashtu edhe për shoqërinë që duhet t’i njohë, t’i kuptojë e t’i përdorë këto instrumente, por njëkohësisht edhe të mbrohet nga rreziqet që vijnë me zhvillimin e shpejtë e të vrullshëm të teknologjisë.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi me SECO-n dhe Programi i Asistencës Bilaterale dhe Ngritjes së Kapaciteteve, është një garanci se do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi me sukses sfidave që na presin, duke kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe të ekonomisë së Shqipërisë në mënyrë të qëndrueshme, pa cenuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

Edukimi financiar, digjitalizimi, si dhe inovacioni financiar janë tre çështje të rëndësishme që kanë zënë vend në agjendat e bankave qendrore. Këto përcaktojnë problemet fondamentale me të cilat do të përballen shoqëritë tona, natyrën dhe drejtimin e politikave monetare e të stabilitetit financiar, dhe njëkohësisht zhvillimin e sistemit financiar dhe atyre të pagesave.

Edhe Banka e Shqipërisë ka nisur diskutimin dhe studimin e këtyre fenomeneve, duke i bërë ato pjesë të strategjive të zhvillimit të saj. Lëvizja e radhës është implementimi i tyre në ekonomi dhe në sistemin financiar. Natyrisht, ne duam ta bëjmë këtë duke ndërthurur përpjekjet tona me studimet dhe eksperiencat më të mira botërore në këto fusha, ndaj jemi të lumtur ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Qeverinë Zvicerane. Nga ana tjetër, marrëveshja e sotme e zgjeron fokusin e saj, duke e pasuruar atë edhe me tre çështje:

Së pari, duke i qëndruar besnik objektivit tonë kryesor për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit, bashkëpunimi synon të forcojë më shumë rolin tonë në formulimin dhe zbatimin e politikës monetare, si dhe në promovimin e stabilitetit financiar. Studimet gjatë kësaj faze të tretë do të thellojnë analizën për zhvillimet demografike, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe të qëndrueshmërisë së mjedisit në ekonomi dhe sistemin financiar, dhe njëkohësisht do të zgjerohen në fenomenet dhe zhvillimet teknologjike në tregjet financiare.

Së dyti, duke synuar rritjen e rezistencës ndaj turbulencave të mundshme në ekonominë globale, tregun e brendshëm dhe sistemin financiar, bashkëpunimi do t’i kushtojë vëmendje të veçantë politikave të de-euroizimit, rritjes së qëndrueshmërisë të sektorit bankar dhe zgjerimit të gamës së instrumenteve dhe shërbimeve financiare në shërbim të biznesit dhe familjeve.

Së treti, ne synojmë të sigurojmë një sistem avangardë/bashkëkohor të pagesave që është i aftë të ofrojë zgjidhje të shpejta, eficiente dhe me kosto minimale për shërbimet financiare tradicionale edhe ato novatore. Përmes tij dhe edukimit financiar, Banka e Shqipërisë synon të promovojë dhe të rrisë përfshirjen financiare të popullatës. Objektivi ynë është që ta bëjmë këtë pa cenuar stabilitetin e sistemit dhe duke rritur njëkohësisht rezistencën e tij ndaj rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe atë mjedisore. Rrjedhimisht, në këtë fazë të re bashkëpunimi, do të vazhdojmë të fokusohemi në përmirësimin e infrastrukturës së sistemit të pagesave dhe në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.

Në fund, dua të theksoj rëndësinë dhe dobinë e angazhimit të palëve të treta. SECO sjell në këtë marrëveshje, kontributin e akademisë, bankave qendrore të vendeve të zhvilluara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik në kohën aktuale, kur sfidat dhe ndikimet janë globale. Vetëm duke punuar së bashku dhe duke ndarë përvojat dhe ekspertizën tonë, mund të arrijmë objektivat dhe të sjellim përparim në vendin tonë.

Në përfundim, dua të falënderoj sërish SECO-n, Qeverinë Zvicerane, Ambasadën e Zvicrës në Tiranë, dhe të gjithë ekipin e punës për hartimin e marrëveshjes, për angazhimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Jam i bindur se kjo fazë e re bashkëpunimi do të sjellë rezultate të mrekullueshme dhe do të forcojë rolin dhe kontributin tonë në zhvillimin e vendit. Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj të palëkundur!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb