Qeveria shqiptare ka vendosur të ndërtojë varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941. Vendimi për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2010 për hapat e mëtejshëm është marrë në mbledhjen e qeverisë më 13 dhjetor dhe udhëzohen ministritë përkatëse për kryerjen e procedurave që nga shpronësimi i tokës e deri tek ndërtimi i varrezave.

Kështu qeveria vendosi që Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.

Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, do ndërmarrin të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve. Ndërkaq Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, duhet të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes.

VKM përcakton gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes, në zbatim të pikës 8, të nenit 1, të marrëveshjes, të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.

28 Tetori është Dita kombëtare e Greqisë dhe ndryshe nga vendet e tjera që festojnë ditët e përfundimit të dy luftërave botërore, Greqia ka vendosur si festë kombëtare futjen në Luftën e Dytë Botërore, dmth fillimin e luftës greko-italiane.

Ky vendim vjen pak kohë pas takimit që ministri pë Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati pati me homologun e tij grek Nikos Kotzias dhe shprehjes së vullnetit nga të dyja palët për zgjidhjen e cështjeve të mbetura të hapura mes dy vendeve.

Sipas autoriteteve të Greqisë, në luftën italo-greke në vitet 1940-1941 në tokën shqiptare kanë rënë 12 mijë trupa greke.

VENDIMI I PLOTË
VENDIM PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR KËRKIMIN, ZHVARRIMIN, IDENTIFIKIMIN DHE VARRIMIN E USHTARAKËVE GREKË, TË RËNË NË SHQIPËRI GJATË LUFTËS GREKO-ITALIANE TË VITEVE 1940-1941, DHE PËR NDËRTIMIN E VENDPREHJES PËR TA, BRENDA TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10256, DATË 25.3.2010

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 5, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, të përcaktuar sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, në bazë të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar.

2. Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, të ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve, sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.

3. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes.

4. Prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre.

5. Me urdhër të Kryeministrit, në zbatim të neneve 2, pika 5, dhe 4, shkronja “a”, të marrëveshjes, të përcaktohen ekspertët e palës shqiptare në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve Shqiptarë dhe Grekë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, si dhe ekspertët në terren të palës shqiptare.

6. Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, të përfaqësuara me ekspertë në Komitetin e Përbashkët në terren të përballojnë shpenzimet për realizimin e detyrave nga këto ekspertë, sipas legjislacionit në fuqi.

7. Ministria e Mbrojtjes, në zbatim të pikës 8, të nenit 1, të marrëveshjes, të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.

8. Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masat e nevojshme për zbatimin e të gjitha procedurave të zhdoganimit dhe të përjashtimit nga detyrimet doganore sipas ligjit nr.10256, datë 25.3.2010.

9. Vendimi nr.496, datë 29.6.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, shfuqizohet.

10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

VKM varrezat

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb