Antoine Griezmann është lojtar i Atlético Madridit në të gjitha dimensionet. Futbollisti francez nuk i përket më Barcelonës, por ka firmosur me “rojiblanco” deri në vitin 2026. Të premten e kaluar njoftuam se marrëveshja ishte tashmë e mbyllur, siç u konfirmua nga Barcelona.

Pra, ka përfunduar një nga “telenovelat” e mëdha jo vetëm të verës, por edhe të fillimit të sezonit. Klauzola e diskutueshme e minutave që detyronte “rojiblancos” të paguanin 40 milionë euro në fund të këtij sezoni ishte një çështje që ka komplikuar vendimet e trajnerit.

Tashmë, me këtë marrëveshje, “colchoneros” do t’i paguajnë 20 milionë euro Barçës për të marrë shërbimet e një lojtari kyç për Simeone. Siç thamë, Griezmann do të jetë “rojiblanco” deri në vitin 2026.

Francezi, nëse do ta përmbushë kontratën e re deri në ditën e fundit, do ta veshë fanellën e Ateltico Madridit për 10 sezone. Ndër rekordet e tij, 304 ndeshje zyrtare, 59 asiste dhe 114 gola. Antoine është golashënuesi i katërt më i mirë në historinë e Atlético Madridit dhe më i miri në garat evropiane.

Rekordi i tij si “rojiblanco” përfshin një Superkupë Spanjolle më 2014, një “Europa League” dhe një Superkupë Evropiane më 2018. Francezi, i cili ka ulur sërish rrogën për të balancuar llogaritë bardhekuqe, është shprehur i lumtur për marrëveshjen e arritur dhe e ka bërë të ditur në rrjetet e tij sociale me një mesazh: “I lumtur që jam aty ku dua. Faleminderit të gjithëve!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb