“Skandali me Reçakun do të duhej të ishte një moment tjetër për Tiranën zyrtare për të rikonsideruar pjesëmarrjen në takimin e Beogradit në fund të janarit nëse nuk tërhiqen deklaratat negacioniste. Prania e Ramës përkrah Vuçiçit në Beograd do të ishte përdhosje për viktimat e pafajshme dhe një turp i madh për qeverinë e Tiranës.”.

Kështu shkruan ish-ministri i Inovacionit gjatë qeverisjes së PD-së, Genc Pollo, në kuadër të 21-vjetorit të masakrës së Reçakut në Kosovë, ku ushtria serbe masakroi 45 civilë. Në një reagim në rrjetet sociale Pollo thekson se është turp nëse kryeministri Rama vandalizon negacionizmin me vizitën e tij në Beograd. Teksa kujton një takim me ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker, thekson se ky i fundit ishte i vendosur të denonconte atë që kishte parë me sytë e tij në Reçak.

Teksa nga një anë qëndrojnë zërat që flasin për masakrën, Pollo pohon se: “Në këtë sfond tejet shurdhuese është heshtja e Edi Ramës. Ai nuk pipëtiu kur Vuçic mohoi Reçakun, e pak ditë më vonë, kur i shtroi tapetin e kuq në Tiranë, përsëri heshti”.

REAGIMI I POLLOS
Reçaku si apel për vlerat e humanizmit; turp nëse Rama validon negacionizmin me vizitë në Beograd
Para afro 20 vjetësh isha i ftuar në një darkë tubim të komunitetit shqiptar në Çikago dhe organizatorët më nderuan duke më ulur në tavolinën kryesore ku rastisa pranë ambasadorit Wiliam Walker. Nga biseda jonë e fragmentuar nga fjalimet e këngët patriotike dy gjëra mbaj mend prej tij: se diplomati Walker ishte specialist i Amerikës Latine, pa njohuri për Ballkanin dhe në pritje të ndonjë emërimi ambasador në Buenos Aires apo Montevideo, që për koincidencë administrative kishte pranuar postin e shefit të Misionit Verifikues të Kosovës (OSBE). Së dyti dhe më e rëndësishme ishte vendosmëria e tij për të denoncuar atë që ai në janar 1999 konstatoi me sytë e tij si masakër të civilëve ishte spontane e pa udhëzim specifik nga Departamenti i Shtetit. Jo të gjithë anëtarët e misionit donin t’a raportonin e t’a shpallnin publikisht atë që panë mbasi e ndjenin ndoshta kjo se do të ishte pika e ujit që përmbys kupën. Por Ëalker u imponua dhe çfarë vijoi është histori.
Javë më vonë një autopsi e mjeko-ligjorëve finlandezë do të konfirmonte Walker-in duke konkluduar se 45 viktimat ishin civilë të paarmatosur dhe jo luftëtarë të UÇK-së siç pretendonte Millosheviçi.
E kam kujtuar këtë episod si një rast konkret kur njeriu i duhur në kohën e vendin e duhur mund të bëjë ndryshimin e madh. Dhe me njeri të duhur kuptojmë personin me integritet moral të cilin ndërgjegja nuk e lejon të mbyllë gojën para të keqes sidomos kur ka detyrën t’a denoncojë atë.

E fundit gjë që mund të më shkonte në mendje atëherë në Çikago ishte se dy dekada më vonë presidenti i Serbisë do të mohonte hapur krimin shtetëror të Reçakut për të cilën mban përgjegjësi jo vetëm nisur nga parimi i vazhdimësisë shtetërore por edhe pse personalisht ishte ministër në qeverinë e Beogradit në vitet 1998-2000. Dhe jo ministër pa portofol por ministër i propagandës i cili ka asokohe ngriti akuza kundër redaktorëve kur këta të fundit, të vrarët në Kosovë i raportonin si ” njerëz” e jo si “terroristë”.
Ecuria e historisë ka treguar se nuk është gjithnjë pozitive siç dëshmon edhe paaftësia e udhëheqjes serbe për të përqafuar në brendi parimet e humanizmit dhe për t’u çliruar nga nacionalizmi rabid e nga urrejtja etnike.
Mohimi i Vuçiçit në dhjetor shkaktoi protesta unanime në Kosovë, plot zëra dënues në Europë e në Shqipëri. Deklaratat përkujtimore sot, në këtë përvjetor jo jubilar të Reçakut nga çdo ambasadë perëndimore në Prishtinë janë gjithashtu një reagim indirekt por i qartë ndaj presidentit të Serbisë. Në këtë sfond tejet shurdhuese është heshtja e Edi Ramës. Ai nuk pipëtiu kur Vuçic mohoi Reçakun, e pak ditë më vonë, kur i shtroi tapetin e kuq në Tiranë, përsëri heshti; madje kur ja kujtoi një gazetare ja ktheu me vrazhdësi.
Minishengeni ballkanik është ekspozuar si një nismë përgjithësisht e padobishme për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, si gjeopolitikisht e dyshimtë, si përçarëse në Ballkanin Perëndimor dhe më e rënda si izoluese për Kosovën.
Skandali me Reçakun do të duhej të ishte një moment tjetër për Tiranën zyrtare për të rikonsideruar pjesëmarrjen në takimin e Beogradit në fund të janarit nëse nuk tërhiqen deklaratat negacioniste. Prania e Ramës përkrah Vuçiçit në Beograd do të ishte përdhosje për viktimat e pafajshme dhe një turp i madh për qeverinë e Tiranës.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
15 janar 2020
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb