Ish-ministri Genc Pollo deklaroi se ndërkombëtarët kanë gabuar me politikën e tyre gjatë dy viteve të fundit dhe qëndrimet e mbajtura referuar tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Komentet ish-ministri i bëri gjatë emisionit “Open” në News24. Sakaq ai tha se prej 10 vjetësh Serbia po kontrollon veriun e Kosovës përmes bandave dhe shërbimit sekret.

“Prej 10 vjetësh Serbia e kontrollon veriun e Kosovës. E kontrollon përmes bandave, kontrabandistëve dhe shërbimit sekret. Në këto rrethana kontrolli është më se e plotë dhe kjo ngjarje nuk ndodhi pa lejen e Beogradit. Duhet të diskutojmë se duke qenë se Serbia tregon se mund të kërcënojë me dhunë, edhe pse nuk është hera e parë dhe Kosova përgjigjet në mënyrë të vendosur, në çfarë raporti jemi? Shpresoj të kemi një rikalibrim të komunitetit euroatlantik. Dëshiron ta çojë Serbinë në njohjen e Kosovës dhe ta largojë nga ndikimi rus.

Këtu ka kritika për të bërë edhe nga qëndrimet e Kosovës, targat, zgjedhjet në Veri etj. Ajo që u pranua se do ketë evoluim, për njohje faktike, aty duhet të ishin përqendruar. Serbia po të ishte një shtet normal, apo gjysmë normal e bënte këtë. Presioni që ka BE-ja janë të kufizuara dhe do jenë më shumë. Ndërkombëtarët kanë gabuar me politikën e dy viteve të fundit dhe me qëndrime parimore. Serbia ka çuar tanket në kufi dhe nuk ka një dënim…. Iluzioni që ‘Vuçiç do zbatojë planin franko-gjerman, e premton gojarisht, por jo faktikisht’”, u shpreh Pollo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb