Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, foli në një intervistë, nga plazhi i Shëngjinit, për emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për sezonin turistik.

Duke thënë se ky vit po mbledh shumë turist, ndryshe nga viti pandemik, Ndreu theksoi se Shëngjini ofron gjithçka, është një kombinim i jashtëzakonshëm natyror dhe ka një rërë shumë kurative.

Gjithashtu, Pjerin Ndreu komentoi dhe tragjedinë e Velipojës, ku për shezlongë u vranë tre biznesmenë dhe një kamerier, duke thënë se në bregdetin e Lezhës janë zgjidhur konfliktet mes operatorëve turistikë.

Sipas tij, në rastet kur ka pasur konflikte, ka ndërhyrë bashkia dhe ka vendosur që pjesa e plazhit, për të cilën ka lindur konflikti mes biznesmenëve, të lihet plazh publik.

Pjesë nga intervista:
Si ka nisur sezoni turistik?
Ky sezon ka nisur mirë. Qershori ka qenë sezon më shumë i fundjavës, që kanë frekuentuar kryesisht shqiptarët e Kosovës. Këtë e krahasojmë me vitet e mëparshme, jo me vitin pandemik. Ky vit pritet të ketë rritje turistësh, për shkak edhe të stresit të këtij viti pandemik. Për momentin shumicën e klientelës e përbëjnë shqiptarët e Kosovës, ku në Shëngjin zënë më shumë se 65% të pjesëmarrjes, por ka dhe nga Tirana, Shkodra, Puka, gjithë rrethet e Shqipërisë.

Pse duhet të vijnë turistët në Shëngjin?
Shëngjini ofron gjithçka, është kombinim i jashtëzakonshëm natyror. Është zona e Tales, që është një plazh i jashtëzakonshëm, i virgjër, Rana e Hedhun dhe zona e Shëngjinit. Secila ofron një strukturë më vete dhe rëra është shumë kurative. Jemi munduar bashkë me strukturat e operatorëve turistikë për të realizuar një pastërti shembullore.

Bashkia që vjet ka aplikuar një sistem ndryshe të menaxhimit të mbetjeve, në bashkëpunim me gjermanët, që po na ndihmon, me konsultime me biznesin dhe operatorët turistikë. Të gjithë bashkë kemi vendosur disa rregulla, që bëjnë që operatorët t’i nxjerrin plehrat me orare. Vjet kjo rezultoi e suksesshme dhe ne morëm çmimin e parë. Ka një problem me ndërgjegjësimin qytetar. Sot që flasim në Shëngjin është vështirë të gjesh një letër në tokë, e them këtë me krenari. Kemi bërë dhe kullat e vrojtimit. Do të vazhdojmë me gjobë, nëse gjejmë plazhin të ndotur. Pas herës së tretë, do të hiqet e drejta e përdorimit të plazhit. Tre herë do të jetë gjobë administrative, pastaj i bie e drejta personit të menaxhojë stacionin e plazhit, si jo i denjë.

Masakra në Velipojë për shezlongët…
Ne kemi bërë ndërhyrje të hershme bashkë me Policinë e Shtetit për të mos lejuar shumë struktura hotelerie që të vendosin shezlongë jashtë hapësirë së lejuar. Nuk ka pasur konflikte, kanë qenë shumë pak, dhe aty ku ka pasur konflikt kemi hyrë ne si bashki. Në një rast konflikt që kemi pasur, ne kemi pezulluar dhënien e stacionit të plazhit, duke rënë dakord që ndoshta do ta lëmë zonë publike, për shkak të përplasjes mes dy operatorëve. Ndërhyrja jonë si bashki ka dhënë efektin e vet, i kemi ulur operatorët, kemi biseduar me ta dhe nuk e kemi lënë situatën të agravojë. Ka edhe koka të nxehta që për pesë apo dhjetë shezlongë vriten. Ne e kemi zgjidhur, kemi ndërhyrë menjëherë.

A mund të ishte shmangur tragjedia e Velipojës?
Unë gjykoj situatën në Shëngjin, duhet të ishim më të shpejtë në dhënien e stacioneve të plazhit. Shumë struktura hotelerie kanë gabuar në aplikim. Nuk kanë bërë aplikimin e duhur. Interesi jonë është që të jepen stacionet e plazhit dhe të frekuentohet plazhi, por të jetë i disiplinuar. Mendoj se Shëngjini nuk do të ketë probleme këtë sezon. Është detyra jonë, e pushtetit lokal, që të menaxhojmë sezonin turistik. Neve nuk na falet që të rrimë në zyrë dhe të mos merremi me problemet. Nuk flas fare për Velipojën, unë marr përsipër të menaxhoj vetëm Bashkinë e Lezhës.

A janë funksionale kullat e vrojtimit?
Po, janë funksionale. Këtë javë do të vendosen të gjitha kullat. Kjo vonesë është e lidhur me konfirmimet për stacionet e plazhit.

A do ketë sanksione ndaj stacioneve të plazhit që nuk kanë kulla vrojtimi?
Absolutisht po. Të gjithë po i ndërtojnë dhe besoj se Shëngjini nuk do të ketë probleme. Ne kemi të konfirmuara deri më tani rreth 200 stacione plazhi dhe do vazhdojnë edhe këtë javë konfirmimet. Me stacionet e plazhit kuptohet që lind edhe nevoja e kullës së vrojtimit.

Sa objekte janë prishur deri më tani në bregdetin e Lezhës?
Është vepruar në 7-8 objekte, që kanë qenë pa leje. Duhet thënë se ka një tendencë paligjshmërie te disa operatorë, që me vështirësi ne po i vëmë në kontroll. Nuk kuptojnë që ka ardhur një kohë, ku nuk mundesh më të bësh ndërtim pa leje. Tani sapo kemi nxjerrë planin urbanistik të Tales dhe Ranës së Hedhur, ku gjithçka është e konfiguruar. Nuk mund të ketë më beton në rërë, ua kemi bërë të qartë ndërtuesve që nuk munden më të bëjnë asnjë lëvizje në drejtimin e gabuar, pasi do përgjigjen para ligjit. Shumica e objekteve të prishura kanë qenë shtesa, improvizime, jo shumë të rënda, por që kanë krijuar probleme.

Pse ndërhyhet gjithmonë në sezonin turistik?
Është pikërisht koha kur fillojnë e abuzojnë. Janë ndërhyrje të vonshme, që nuk duhet të ndodhin, por disa e bëjnë. Në shumicën e rasteve është ndërhyrë në bllokimin e punimeve.

Si ka ndikuar pandemia në këtë pjesë të parë të sezonit turistik?
Për kushtet ku jemi, situata është pozitive dhe ka ndikuar pozitivisht. Ka një rritje të ndjeshme dhe shpresë për më shumë pjesëmarrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb