Qeveria synon që të marrë disa masa të cilat kanë si fokus luftën ndaj informalitetit.

Në programin e reformave ekonomike 2024-2026 specifikisht në nënndarjen që lidhet me masat e administratës tatimore gjatë tre viteve sillet në vëmendje se të paktën për vitin aktual përveç përmirësimit të planeve vjetore sektoriale do të punohet për integrimin dhe aksesimin e të dhënave nga palë të treta.

Konkretisht për këtë vit kanë katër masa ku së pari zbatimi i planeve vjetore sektoriale bazuar në planet sipas industrive, sektorëve, shpërndarjes gjeografike, llojit të tatimit dhe fenomeneve të bazuar në implemetimin dhe përmirësimin e moduleve (fiskalizimi dhe C@ts).

Së dyti fushata me qëllim regjistrimin në TVSH. Së treti analiza të përbashkëta me ndihmën e ekspertëve të Administratës Tatimore Suedeze për trajtimin e shmangies së tatimeve për tatimpaguesit e rinj të regjistruar. Së katërti integrimi dhe përdorimi i të dhënave nga palët e treta të administratës tatimore, {autoritetet kombëtare utilitare (uji, energjia elektrike), regjistrimi i automjeteve, bashkitë etj.

Ndërkohë i njëjti dokument për vitin 2025 parashikon një seri masash të tjera për administratën tatimore dhe që nisin me hartimin e një qasjeje të integruar gjithëpërfshirëse në drejtim të mos deklarimit të pagave të punonjësve.

Së dyti deklarata e parambushur e TVSH-së dhe e tatimit mbi të ardhurat personale. (Plotësimi i deklaratave tatimore me informacion nga fiskalizimi.

Së treti zhvillimi i raporteve të BI-së për analizimin e të dhënave për TVSH-në dhe për qëllime të tatimeve të tjera.

Për vitin 2026 parashikohet ndërtimi i Regjistrit të Pasurive të Tatimpaguesve (të luajtshme dhe të paluajtshme). Marrja e masave dhe zhvillimi i aktiviteteve për uljen e pagesave me cash në ekonomi si dhe arritja e përputhshmërisë me anë të projektimit nëpërmjet rregullave të sistemit dhe proceseve të automatizuara.

Të ardhurat

Dokumenti ndalet në një sërë zërash që do të sjellin rritje të të ardhurave si efekt i masave të marra paraprakisht në paketë fiskale për vitin 2024.

Kështu të ardhurat nga “tatimi mbi të ardhurat personale” parashikohen 65.2 miliardë lekë, me rritje prej +9.2 miliardë lekë ose +16.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2023. Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë:

– efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror, rritja e të cilave do të gjenerojë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat;

– rritjen e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, i cili për shkak të lëvizjeve është i detyruar të ndjekë ritmin e rritjes së pagave në sektorin shtetëror;

– rritjen e të ardhurave nga kategori të tjera si tatimi mbi dividentët, tatimi mbi qiradhënien, tatimi nga bizneset e shërbimeve profesionale etj.;

– rritjen e të ardhurave nga futja në skemën e taksimit të të ardhurave nga turizmi dhe akomodimi të subjekteve që nuk janë të regjistruara dhe deklaruara si njësi akomoduese.

Të ardhurat priten të jenë më të larta edhe tek taksa nacionale si efekt i licencimit të lojërave të fatit apo taksa e karbonit. Në rritje parashikohen edhe taksa nga akciza apo ato nga sigurimet shoqërore./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: