Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Tulant Balla ka treguar se përse deputetët e maxhorancës votuan kundër rezolutës që dënonte masakrën e Srebrenicës.

Ai tha që vendimi nuk kishte të bënte me rezolutën në përmbajtje, por me ish-kryeministrin Sali Berisha, të shpallur non grata nga SHBA dhe për këtë arsye, sipas tij, është marrë vendimi që të mos pranohet asnjë vendim apo propozim që mban firmën e ish-kryeministrit.

“Në vendet e Rajonit lidhur me një vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë sot që lidhej në fakt me një kërkesë të disa deputetëve dhe nuk lidhej aspak me qëndrimin tonë të qartë, të pa lëkundur, dënues ndaj masakrës dhe gjenocidit në Srebrenicë. Dua të sqaroj që qëndrimi i sotëm i yni, ka të bëjë sot dhe gjithmonë dhe faktin e vendimin e marrë prej nesh, që njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, deputet i Pavarur në Kuvend i cili në vendimin që kemi marrë është i pa pranueshëm për çdo lloj propozimi që vjen me firmën e tij në Parlament.

Deputeti i pavarur Sali Berisha është i shpallur non grata nga SHBA për vepra të mëdha demokratike, minim të saj. Sa herë ky deputet do të depozitojë kërkesa me firmën e tij ato do të rrëzohen. Sa i përket Serbenicën e keni ndjekur qëndrimin tonë, kjo do të jetë gjithmonë. Shqipëria i ka ndjekur qëndrimet. Kuvendi ka rrëzuar një kërkesë nga një deputet non grata, nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por emrin e propozuesit”, tha Balla.

Për Ballën edhe mbështetësit e Berishës apo të propozuarit prej tij do të jenë jashtë diskutimeve të PD. Ai tha se nuk do të diskutojnë me dy të përzgjedhurit e Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi për Presidentin e ri, duke thënë se nuk mund të negociojnë me ata të ‘jetës së përtejme’.

“Nuk ka të bëjë me rezolutën, por Sali Berishën. Duket fyese për këdo dhe jo vetëm këtu, por kudo në rajon që në firmat propozuesi për masakrën më të rëndë të ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore të jetë ky person. E kam thënë dje në konferencë të kryetarëve: Asnjë propozim që vjen nga Sali Berisha nuk miratohet në Kuvend. Edhe Boçi dhe Byluykbashi janë njëlloj. Nga bota e përtejme nuk i pranojmë. Nesër do të kemi takime me grupet parlamentare. Duhet të bëjmë propozimet e duhura, dëshira jonë është t’i japim Shqipërisë një president mbi palët”, përfundoi kreu i grupit socialist.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb