Anëtari i Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Spartak Braho, gjatë mbledhjes së parë të këtij komisioni, propozoi që asnjëri nga anëtarët të mos dalë e të prononcohet në media.

Ai tha ndër të tjera, që krahas të dhënave me shkrim, në lidhje me shkeljet e supozuara ndaj Presidentit, të ilustrohen edhe pamje filmike, në mënyrë që të bëhet më e thjeshtë për publikimin.

“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që presidenti është kështu apo ashtu. Të caktohet dikush që të flasë për mediat. Ne do të na nevojitet të njohim jo vetëm deklarimet e Presidentit, por edhe filmimet, nuk i duam vetëm të shkruara duhet të kemi tabelën e të shohim publikisht të gjitha imazhet që akuzohet Presidenti. Kjo është më mirë për ne kur i shohim, dëgjojmë, por edhe për publikun”, tha Braho.

Nga krahu tjetër, Alket Hyseni, i cili është dhe kryetari i këtij komisioni, e mirëpriti propozimin e Brahos, e tregoi hapat që do të ndjekë ky komision.

“Përtej bindjeve tona politike, misioni ynë është ndaj Kushtetutës dhe ligjit. Në jetën parlamentare nuk është kënaqësi të ketë ngjarje të tilla, por në kushtet që jemi duhet ta marrim me gjakftohtësi. Sjellja e këtij komisioni duhet të jetë e rregullt. Sa i takon planit të hetimit, paraqesim sot një plan paraprak, që patjetër nuk është përfundimtari.

Në mënyrë që të krijojmë një ekspoze të plotë, apo problemet që mund të dalin nga dëshmitarë, institucione. Sa i takon planit të sotëm, që është detyrë e kryetarit, bazohet në ngritjen e hetimit dhe të drejtën që ka Presidenti për t’u shprehur në këtë komision. Ky komision përtej të drejtës së Presidentit, ka të drejtën të thirrë Presidentin në një dëgjesë që do të jetë e nevojshme. Pikë tjetër e planit paraprak është marrja e të dhënave, këtu do të mbahet parasysh kërkesa juaj që të kemi pamje filmike apo të dhëna nga AMA mbi publikime, në rrjete sociale, apo media të caktuara. Pikë e katërt është përgatitja e planit përfundimtar të hetimit.
Do të ketë pikë të pestë për marrjen e ekspertëve vendas apo të huaj. Duhet të kemi konsulentët e ekspertëve, që do të na ndihmojnë në çështje të doktrinës, apo jurisprudencës së Gjykatës tonë, apo atyre Evropiane.

Do të kemi një dëgjesë me Presidentin e Republikës. Do të miratohet raporti përfundimtar, e më pas, do të jetë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për të vendosur nëse ka shkaqe të parashikuara nga Kushtetuta për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Do të mblidhemi që ta përmbushim detyrën tonë me kujdes”, u shpreh Alket Hyseni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb