KOSOVE

Shqipëria dhe Kosova janë shfaqur më bashkë se asnjëherë në takimin e dy qeverive në Pejë. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para dy kabineteve dhe mediave të Kosovës e Shqipërisë ka dërguar mesazhe të qarta për Bashkimin Evropian dhe Serbinë. Ndryshe nga herët e tjera, Rama ka akuzuar për dyfytyrësi Serbinë por edhe BE-në në raport me shqiptarët.

Ai tha se heqja e roaming dhe unifikimi i doganave do zbatohen brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama që mori fjalën pas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj përmendi letrën e At Shtjefën Gjeçovit dërguar Konicës ku fliste për bashkimin, ndërsa shprehu zhgënjim nga BE-ja.

“I nderuar kryeministër Haradinaj, të nderuar anëtarë të qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Dje përkujtuam në Prizren për të dytën herë brenda këtij viti amanetet dhe urdhëresat e Lidhjes shqiptare, të cilat koha jo vetëm nuk i ka zbehur aspak por i ka në rendin e ditës.
Dhe sot dua të sjell këtu pasazhet e një letre që shqiptari i madh prej Kosove At Shtjefën Gjeçovi i dërgonte prej Pejës Faik Konicës në 1898. “Zemra e një shqiptari të vërtetë do të lakmonte bashkimin ndër vete…”
Për Shqipërinë Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmin e tij në një regjim kushtetues e liberal, garancia e të cilit është çelësi i stabilizimit rajonal dhe ndërlidhjes rajonale. Për Kosovën Shqipëria është natyralisht shteti më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës.
Sot është dita për ta thënë me forcë se e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë shtete apo shtet në letër të zhveshur. Kjo drejtësi është ajo e të drejtave të njeriut që nuk njeh gjysmë njerëz. Ne i kemi mirëpritur në çdo çast të gjitha dinamikat shumë palëshe apo dy palëshe që çojnë drejt plotësimit të kuadrit gjysmë të plotësuar. Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe të gjitha atyre shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Dhe ja pse themelimi i forcave të armatosura të Kosovës ishte hapi i duhur dhe domethënës në kuptim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet. Ngjarjet si e Interpolit, shfaqje dekurajuese”, deklaroi kryeministri Rama.

“Zero tarifa Shqipëri-Kosovë, unifikim doganor”
Kryeministri theksoi se ne nuk mund të mohojmë se marrëdhëniet dy palëshe nuk janë gjithmonë pa vështirësi.
“Mjafton dhe shembulli mes Shqipërisë dhe Kosovës për të kuptuar se në ecurinë e këtyre marrëdhënieve ka vështirësi e lëre më pastaj mes Kosovës e Serbisë. Por ama këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët dhe partneriteti Shqipëri-Kosovë në shumë aspekte, në shumë prej mangësive apo potencialeve të tij e dëshmon këtë dhe sot jemi në fazën kur duhet të konkludojmë. Të konkludojmë duke pasur parasysh edhe çfarë thashë më sipër. Zero tarifa dhe zero barriera tarifore brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë dhe duhet ta bëjmë. Ne nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë, jemi mbledhur pesë herë, sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës”, tha prerë Rama.

Së dyti, vijoi ai, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor. “Tranzit më 1 janar në portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6-mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim qoftë në Beograd, qoftë në Bruksel është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë t’ia shpjegojmë që nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi”, deklaroi Rama.

“Njohje reciproke e dokumenteve”
Ai gjithashtu tha se do ketë njohje të plotë të gjithë dokumenteve brenda 6-mujorit.
“Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazhdojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat për delet andej dhe këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë dokument duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri dhe anasjelltas. Sipërmarrësit shqiptarë të Kosovës apo Shqipërisë mjafton të shkojnë në një derë dhe jo dy dyer. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, por shqiptarët dhe shqiptarët”, u shpreh shefi i qeverisë shqiptare.

“Njohje patentash, për 6 muajt e parë të 2019 hiqet Roaming”
Ai theksoi se patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë patentat mes Shqipërisë dhe Greqisë, që janë dashur gati 30 vjet negociata për të arritur njohje reciproke. “Janë patenta mes shqiptarëve dhe shqiptarëve dhe e tillë është dhe gjithë lista e dokumenteve. Meqë ata nuk duan që ne të mos jemi pjesë e marrëveshjes së tyre të roamingut ne bëjmë marrëveshjen tonë të roaming. Brenda 6 muajve të ardhshëm kanë marrëveshjen e tyre dhe s’ka më roaming mes nesh. Shëndet dhe mirupafshim! Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve është hapi që ne do ta hedhim. unifikimi i të gjithë të dhënave për sistemet tona të përbashkëta për hyrjen në kufijtë e Kosovës dhe në kufijtë e Shqipërisë është detyra që duhet ta kryejnë të dy ministritë e Brendshme. Të dhënat për personat që hyjnë e dalin duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet dhe jemi të gatshëm të presim të gjithë ata që janë të shqetësuar për t’i sqaruar”, deklaroi Rama.

“Dokument strategjik deri në 2025 Shqipëri-Kosovë”
Sipas tij, të gjitha këto do të japin një impuls jo të neglizhueshëm gjithë shkëmbimeve tregtare por do të jenë një mesazh domethënës për gjithë partnerët. “Për Serbinë në radhë të parë. Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike në afatgjatë por nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njëanshme gabon. Kjo është nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme Serbia duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë me një fytyrë jo me dy fytyra. Madje me tre në fakt, një për Kosovën, një fytyrë për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë duhet të përdorë në marrëdhënien me shqiptarët. Ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do zgjedhë Serbia”, deklaroi Rama.

Ai ftoi kryeministrin Haradinaj të bashkohet me të në nevojën që të vendosin një fond për dy ministritë e Jashtme dhe dy ministritë e Jashtme të fillojnë punën me konsulencë ndërkombëtare për të bërë një dokument analitik dhe strategjik.

“Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025. Një dokument demografik, ekonomik, social i sistemeve politike dhe të gjitha këto së bashku. E di shumë mirë se çfarë do thonë në Beograd por apo kudo qoftë tjetër por unë kam parasysh bashkimin e shqiptarëve si një domosdoshmëri në rrugën e bashkimit evropian dhe BE duhet t’i japë fund qasjes së dyfytyrë. Një fytyrë për Shqipërinë dhe një për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapin negociata sot do hapim negociata nesër. Kosovës i thotë do liberalizohemi sot, do liberalizohemi nesër dhe ndërkohë ajo që ndodh është se Serbia vazhdon të hap kapituj edhe ia del duke përdorur tre fytyra”, theksoi Rama.

Ai tha se ndërkohë ne kemi një fytyrë, ajo është fytyra kuq e zi dhe me fytyrën tonë ne jemi gati t’i qëndrojmë përballë të gjitha sfidave kuq e zi, që janë sfida të përbashkëta për të rritur ekonominë dhe për të garantuar ardhmërinë e kombit tonë shqiptar me dy shtete. “Dy shtete që i qëndrojnë të gjithë parimeve ndërkombëtare dhe i qëndrojmë amaneteve të të parëve tanë. Të parët tanë i kemi të përbashkët. Dy shtete që nuk ka ndërmend të mbeten si brima e fundit të kavallit në historinë e lodhshme të muzikës të këtij kontinenti qoftë në Bruksel, qoftë në Beograd”, përfundoi kryeministri.

Ky ishte takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës. Ndërkohë qyteti i Pejës është veshur kuqezi me rastin e festave të nëntorit, por edhe takimit të përbashkët të dy qeverive.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet në mes qytetarëve.

Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh, që sipas ekspertëve të ekonomisë konsiderohet shumë e lartë. Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq theksojnë se mbledhja e përbashkët e të dy qeverive po mbahet në kohën e duhur.

Axhenda e aktiviteteve që do të mbahen me këtë rast:

10:15 Ceremonia shtetërore e mirëseardhjes
10:30 Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
12:00 Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive
12:30 Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
13:00 Fotografia e përbashkët e të dy kabineteve qeveritare

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb