Në futboll thuhet shpesh që titulli fitohet në mbrojtje, pikërisht pas këtij detaji kapet fort Edi Martini. Tekniku shkodran ka ditur të ndërtojë një ekip më të vërtetë solid në prapavijë, ti shënosh gol Teutës nuk është aspak e lehtë. Në 26 javë kampionat kanë pësuar vetëm 11 gola, mbrojtja më e mirë në këtë edicion, në këtë klasifikim ndiqet nga Partizani me 16 gola të pësuar. Teuta është gjithashtu ekipi që ka pësuar më pak humbje nga të gjithë, vetëm dy humbje sezonale ndërsa Partizani katër. Bregdetarët mbajnë edhe rekordin më të madh këtë sezon, kanë barazuar plot 13 ndeshje, praktikisht gjysmën e sfidave këtë sezon.

Martini
Martini

Deri në këtë pikë të sezonit ka qenë e mjaftueshme të mos humbasësh, por duke nisur nga kjo fundjave e në vijim, Teutës i duhet të fitojë, në dy ndeshjet e radhës luan kundër Apolonisë dhe Skënderbeut. Sulmi nuk është pika më e fortë e Teutës, nga gjashtë vendet e para kanë sulmin më të dobët me vetëm 25 gola të shënuar, më pak se një gol për ndeshje. Edhe Skënderbeu, ekipi i parafundit ka shënuar afro sa Teuta, 23 gola. Trajneri Martini duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë për këtë pjesë, edhe ndaj Laçit pavarësisht se krijuan një volum shumë të madh loje e kishin shumë të vështirë të shkonin deri tek goli, u desh një aksion personal fantastik i Dejvi Bregut për ti dhënë tre pikët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb