Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti foli në konferencë për shtyp para sfidës me Teutën në transfertë, duke e vënë theksin te përqendrimi që duhet të kenë të kuqtë në këtë ndeshje. Fillimisht, trajneri i “demave” komentoi me entuziazëm stërvitjen e në shtëpinë e re.

“Ka qenë ditë historike stërvitja në klub, ka pasur shumë entuziazëm. Është një investim kolosal i Presidentit, shpresoj të jetë ogur i mirë për skuadrën dhe rezultatet.”

Kundërshtari i radhës – “Skuadra e Teutës është kampione në fuqi, dhe pavarësisht luhatjeve, nuk është kundërshtare e lehtë. Do të jetë histori tjetër nesër, pavarësisht fitores sonë në fazën e tretë. Duhet të jemi të përqendruar, të jemi profesionistë dhe të japim maksimumin. Duhet të kemi mentalitetin e duhur për ta fituar ndeshjen. Stafi dhe lojtarët, të gjithë duhet të jemi me këmbë në tokë për mënyrën sesi duhet ta menaxhojmë ndeshjen.”

Pjesëmarrja në Evropë – “Partizani është në mesin e tabelës, por jemi në garë dhe me një fitore mund të jesh në luftë për një vend në Europë, që është objektivi minimal. Për sa i përket motivimit, skuadra nuk ka freskinë e duhur, kjo e bën të duket si e pamotivuar. E kam theksuar shpesh, Partizani është në garë për objektivin minimal si në kampionat dhe Kupë. Janë 27 pikë në lojë, s’kemi pse të dorëzohemi.”

Cinizmi – “Të gjitha skuadrat vuajnë për stadium, ka humbur miti i fushës. Ndoshta mund ta kesh më të lehtë kur luan në transfertë. Statistikat tregojnë se skuadra është në përmirësim e sipër. Më shumë na ka shqetësuar mënyra sesi e pësojmë golin, por kemi qenë të përqendruar edhe te shënimi i golit. Në 20 metrat e fundit kemi pasur shumë situata, por nuk kemi mundur të shënojnë. Duhet të jemi më cinikë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb