Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë nga Dibra, teksa ka zhvilluar një takim me banorët në Kalanë e Dodës, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Premtim Kryemadhi.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ditët e fundit me dhjetëra drejtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Transportit po shkojnë në Peshko me makinat e shtetit për të kërkuar vota.

“Këto ditë, dhjetëra drejtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike vërshojnë drejt Peshkopisë me veturat e shtetit, me naftë të paguar nga shteti, në kundërshtim të ligjit elektoral. Çfarë janë këta? Janë kriminelë elektoralë që të gjithë. prandaj ju ftoj t’ua fotografoni targat e makinave, t’i fotografoni vetë, vendi i tyre nuk është në fushatë sipas ligjit, por t’i shërbejnë qytetarëve”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri akuzoi Edi Ramën se nuk ka bërë asgjë për banorët e Dibrës, ndërsa theksoi se tashmë gjithçka është bërë më e vështirë për ta.
“Unë kma ardhur sot këtu për të kërkuar votën tuaj për Premtim Kryemadhin, kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, duke ju dhënë fjalën se këtë votë, Premtimi do ta kthejë në shërbime ndaj jush. Rrugët këtu janë siç kanë qenë, të paasfaltuara, shërbimi shëndetësor pothuajse nuk ekziston. Nëse gjatë luftës në Kosovë, ju kishit këtu dhe një spital të UCK, sot nuk keni më shërbimin minimal shëndetësor. Sot, energjia elektrike këtu mungon në shumë e shumë ditë dhe javë të vitit. Çmimet këtu në Kala janë qartësisht më të shtrenjta se në çdo zonë tjetër të vendit. 1 kë miell që në 2013 kushtonte 460 lekë, sot kushton 600 e ca lekë, kurse në Kala shkon dhe 700 lekë. Për të shkuar në Tiranë, ju paguani taksë. Edi Rama rreh gjoksin se shqiptarët do të vijnë nga Londra në Kukës me 19 euro, por banorë te Kalasë për të shkuar në Tiranë e për t’u kthyer u duhet të paguajnë 10 euro. Pra, një diskriminim i pafalshëm dhe i palejueshëm.

Shqipëria po shkretohet nga njerëzit, e po kështu edhe Kalaja. Më 2013 ju kishit 6 shkolla fillore e 2 shkolla 9-vjeçare, sot keni 2 shkolla fillore e 1 shkollë 9-vjeçare. Me deformimin e madh që ka pësuar tregu, me vërshimin e kontrabandës së prodhimeve, me mungesën e perspektivës për të rinjtë, të gjitha këto kanë imponuar familjet në këtë zonë të pakësojnë bagëtitë e tyre. Dje isha në Myzeqe, çfarë më thanë? Rreth 50% të lopëve të rracës i kanë therur, sepse dengu i barit është dyfishuar krahasuar me çmimin e mëparshëm, kurse qumështi blihet edhe më lirë. Kontrabanda e qumështit nga Greqia e bën të pavlerë qumështin e fermerëve tanë. Para 8 vitesh ne kishim rroga e pensione më të larta në rajon, sot i kemi më të ulëta. Nafta është më e shtrenjtë se në Zvicër. Të gjitha këto, sepse qeveria e sotme vetëm grabit e plaçkit pasuritë tona. Ju keni dëgjuar këto ditë aferën e inceneratorëve, 420 milionë euro të dhëna nga taksat tuaja dhe sot s’ka asnjë incenerator në punë. Po pse? Sepse nga kreu i qeverisë, gjer te drejtori, secili ka vjedhur paratë e taksave tuaja. Tani kërkojnë ta mbyllin me dënimin e një hajduti, apo me komisione, të cilët merren me nëpunës. Përvetësimin më të madh të parave e kanë bërë ministrat, kryeministri. Afera tjera dalin çdo ditë. A do vazhdojmë ne kështu apo do vendosim të ndryshojmë? Ju ftoj të gjithëve të firmosni me 6 mars ndryshimin, të firmosim për të kthyer shpresën.

Krahas Premtim Kryemadhit, këtu kandidon edhe kandidati i Edi Ramës, tek i cili çdo gjë mund të gjeni, por vetëm gjak shqiptari nuk ka. Ju e shihni ç’bën me Ballkanin e Hapur, me aleancën me Beogradin kundër Kosovës. Ramës nuk ja ndjen se ekzistojnë njerëz me halle, e ka mendjen si të pasurohen vetëm ministrat e tij. Këto ditë, dhjetëra drejtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike vërshojnë drejt Peshkopisë me veturat e shtetit, me naftë të paguar nga shteti, në kundërshtim të ligjit elektoral. Çfarë janë këta? Janë kriminelë elektoralë që të gjithë. prandaj ju ftoj t’ua fotografoni targat e makinave, t’i fotografoni vetë, vendi i tyre nuk është në fushatë sipas ligjit, por t’i shërbejnë qytetarëve, jo të shpërndahen për të kërkuar vota. Po ajo që i dërgon çfarë është? Ajo zonja? Ajo tenderon rrugët me çmim 8 herë më të lartë se në BE dhe vendet anëtare. Pse i tenderon? Sepse s’ka asnjë diskutim që i përvetëson së bashku me bandën e saj”, u shpreh ish-kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb