Nga platforma e protestës përpara godinës së Kryeministrisë, një protestuese ka gozhduar me ironi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje retorikën e tij publike për “besën”. Ajo ngriti pyetjen direkte se me kë e ka lidhur paktin e tij ekzekutivi, duke e akuzuar kreun e qeverisë për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe strukturat e kontrollit partiak.
Protestuesja deklaroi se paktet e pushtetit nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve, por me mbrojtjen e klanit ushqyes të regjimit.
“Pyetja është për kryeministrin: me kë e ka bërë besën, me kriminelët, patronazhistët apo parlamentin e kukullave? Besa e shqiptarit është e shtrenjtë!” deklaroi ajo para turmës së mbledhur në bulevard.
Në fjalën e saj, ajo nuk i kurseu akuzat e drejtpërdrejta as ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe veçanërisht drejtuesve të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, të cilët i akuzoi për kthim në mjet ushtrimi presioni ndaj protestuesve.
“Kërkesa e dytë është për Policinë e Shtetit, drejtorin dhe shefat e policisë së Komisariatit 3. Nuk mund t’ju them polici. Janë policia e Edi Ramës dhe e parlamentit të Ramës,” – përfundoi ajo në thirrjen e saj.
