Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë në pyetje ish-deputeten e Kosovës Rada Trajkoviç, e cila deklaroi se i ishte ofruar një video me regjistrimin e vrasjes së politikanit serb Kosovës Oliver Ivanoviç.

Ky fakt është konfirmuar nga Prokurori Special, Sylë Hoxha. Ky i fundit tha se Trajkoviç ishte marrë në pyetje ditën e djeshme. “Politikania serbe Rada Trajkoviç ka dhënë dje një deklaratë. Arsyeja ka qenë një prononcimi që ajo ka dhënë në media se dikush i ka ofruar asaj një incizim apo video incizim nga vrasja e Oliver Ivanoviçit. Ajo thotë se një person i ka thënë se mund të siguroj një video incizim nga vendi kur është vra politikani”, ka deklaruar Hoxha.

Po ashtu prokurori tha se personi, i cili ia ka ofruar Trajkoviçit video-incizimin është nga Mitrovica Veriore. “Ky person është nga Mitrovica, sipas disa të thënave që disponojmë”, tha Hoxha. Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, aktualisht kryetarja e ‘Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova’, deklaroi javën e kaluar se i ishte ofruar një video ku ishte regjistruar vrasja e politikanit serb Kosovës Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua në veri të Mitrovicës. Për mediat serbe, Trajkoviç është shprehur se nuk kishte pranuar ta merrte videoincizimin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: