Banorët e Bërxullës, të cilët kanë nisur protestën e tyre kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar kanë përshkallëzuar tubimin e tyre duke nisur një marshim.

Gazetari i News24 Osman Stafa ka raportuar se protestuesit janë vendosur në anë të rrugës kryesore dhe kanë nisur marshimin drejt Qafë-Kasharit, teksa deri në këto momente kanë përshkuar rreth 1 kilometër.

“Do shkojmë deri aty ku bëhen punimet, deri te gjurma e rrugës ku po punon kompania private”, është shprehur një nga protestueset.

Sakaq, ata kanë vijuar me thirrjetpër institucionet shtetërore për t’i dhënë zgjidhje situatës së tyre dhe të zhvillojnë një komunikim të drejtpërdrejtë me ta.

“Zoti Rama le ta dëgjojë, ne jemi pronarët e tokës në Bërxullë. U bëjmë thirrje instancave shtetërore. Fshati Bërxullë nuk do bëhet rrugë. Si për tokat dhe për banesat nuk dorëzohemi. Rama bën pushime në dëborë, ne nuk na zë gjumi se nuk e dimë çfarë do bëjmë. Belinda Balluku ka thënë se do bëhet rruga, ku janë lekët, Belinda Balluku mos të bëjë ligje në zyrë, ligjet bëhen në fushë ku ka projekte. Rrugët i kanë bërë pa standarde të gjitha”, është shprehur një prej protestuesve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: