Kishin mbledhur të dhëna të serbëve në Kosovë. E dokumentet që arritën t’i sigurojnë, po tentonin t’i dërgonin në shtetin serb. Por, detyrën e tyre nuk arritën ta përfundojnë me sukses.

Kjo pasi të mërkurën, policia kufitare tek Dheu i Bardhë i arrestoi dy personat e nacionalitetit serb, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

Serbet me inicialet T.T. dhe D.D., dyshohet që dokumentet dhe të dhënat e disa zyrtarëve komunal të Kllokotit dhe Vitisë, tentuan t’i dërgojnë në shtetin serb.

E më pas, këto dokumente, t’i përdornin për qëllimet e tyre. Burime brenda organeve të sigurisë i kanë thënë Televizionit T7, që personat e dyshuar kanë mbledhur dokumente dhe të dhëna për kryetarin e Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic.

Madje këto dokumente u janë kapur në makinë dy të dyshuarve. Arrestimin e konfirmuan edhe në Policinë e Kosovës. T7 ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Nga organi i akuzës, thonë se dy të arrestuarit ishin nën urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë. Sipas Prokurorisë në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë rreth masës së sigurisë për dy të pandehurit.

Ndërkohë, njohësi i fushës së sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se kalimi i dokumenteve të tilla në shtetin serb, është gjë e rrezikshme për Kosovën. Megjithatë, sipas Ibishit, institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke e bërë punën e tyre dhe se nuk ka nevojë për panik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: