Policia e Fierit ka kryer kontrolle në “By Pass-in” e Fierit e gjatë 24 orëve të fundit kanë pezulluar 89 leje drejtimi, kryesisht për shpejtësi tejet normave të lejuara.

Shpejtësitë e konstatuara varionin nga 125 km/h deri në 180 km/h.

Njoftimi i Policisë:

Fier

Siguria Rrugore/Monitorime intensive me mjete logjistike bashkëkohore, bashkëpunim me pushtetin vendor dhe shkollat, koordinim i veprimeve me Policinë Kufitare, për bllokimin e mjeteve me targa të huaja, të shpallura Alert.

Gjatë 24 orëve të fundit, 89 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi tej normave të lejuara, që janë skanuar nga radarët automatikë dhe makina inteligjente.

Makina inteligjente, radarët automatikë, patrullat me mjete të paloguara dhe të pajisura me kamera e aparate fotografike, 24/7 në monitorim të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Punonjësi i Policisë Rrugore Jovalin Boçi, i cili është duke përdorur radarin automatik, ka theksuar se gjatë monitorimit janë skanuar shpejtësi nga 125 km/h deri në 180 km/h.

Drejtuesit e mjeteve që qarkullonin me shpejtësi për të cilat parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit, janë ndaluar 3-4 kilometra më tej, nga patrulla tjetër e Policisë Rrugore, me qëllim moslejimin e mëtejshëm të udhëtimit me shpejtësi të madhe, e cila është burim rreziku për përfshirje në aksidente rrugore.

Ndërsa shefi i Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Fier, Kryekomisar Valentin Florini, gjatë ditës së djeshme, nga Bypass-i i Fierit, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe i ka ftuar sërish ata që të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, me qëllim që ky sezon turistik të ketë parametra të larta të sigurisë rrugore.

Florini ka theksuar se Policia Rrugore e Fierit ka hartuar herë pas here plane masash dhe ka vijuar me angazhim e përkushtim punën e përditshme për parandalimin e ngjarjeve rrugore.

Radari automatik dhe makina inteligjente, që stacionohen herë pas herë në qarkun e Fierit, për 5-mujorin e parë të këtij viti, kanë dokumentuar me video e fotografi 12 750 shkelje të ndryshme, kryesisht shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, për të cilat janë vendosur masat administrative përkatëse.

Bashkëpunimi me pushtetin vendor, shkollat, DPSHTRR-në dhe aktorë të tjerë të sigurisë rrugore është prioritar për punën e Policisë Rrugore të Fierit, sepse Policia nuk mund të sigurojë e vetme parametra të larta të sigurisë rrugore.

Më tej, Valentin Florini ka theksuar se për mjetet me targa të huaja që janë skanuar nga mjetet logjistike bashkëkohore, që tashmë Policia Rrugore i ka në përdorim, është gjetur zgjidhje duke bashkëpunuar me Policinë Kufitare, me qëllim që drejtuesit e këtyre automjeteve të ndëshkuara me masa administrative, të shlyejnë detyrimet dhe më pas të vijojnë udhëtimin në destinacionet e tyre.

Florini ka apeluar për të gjithë përdoruesit e rrugës që të repektojë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha akset janë në monitorim, jo për të rritur numrin e masave administrative, por për të pasur rrugë të sigurta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb