Më shumë se 60 palestinezë u vranë në Rripin e Gazës gjatë natës nga bombardimet “intensive” të Izraelit, sipas një deklarate nga qeveria e Hamasit.

Më shumë se 60 dëshmorë dhe dhjetëra të plagosur në masakrat e reja të kryera këtë natë dhe herët në mëngjes nga forcat pushtuese”, shkruan zyra e shtypit e qeverisë. Sipas deklaratës, sulmet ajrore dhe bombardimet e artilerisë kishin në shënjestër qytetet Khan Younis dhe Rafah, në pjesën jugore të Gazës, ku ushtria izraelite tani po përqendron operacionet e saj, si dhe zona të tjera të enklavës palestineze të rrethuar.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se 24,100 njerëz janë vrarë dhe 60,834 janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Lufta midis Hamasit dhe Izraelit, e cila hyri në ditën e saj të 100-të dje, të dielën, shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të grupit palestinez më 7 tetor ndaj Izraelit, i cili vrau rreth 1,140 njerëz, kryesisht civilë.

Në këtë sulm janë marrë peng rreth 250 persona, nga të cilët 132 janë ende të duart e Hamasit. Të paktën 25 prej tyre thuhet se janë vrarë, sipas autoriteteve izraelite. Rreth 100 u liruan si pjesë e një armëpushimi në fund të nëntorit.

Si hakmarrje, Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe po bombardon pamëshirshëm Rripin e Gazës. Deri më tani rreth 24,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në enklavë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: