BEOGRAD- Mediat serbe rikujtojnë sot detyrat, përgjegjësitë dhe rolin e presidentit të Serbisë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi.

Ndër të tjera publikohet edhe teksti i betimit në ditën kur merr detyrën presidenti, brenda të cilit përfshihet edhe Kosova si “pjesë përbërëse e shtetit të Serbisë”.

Me rastin e inaugurimit në detyrë, presidenti i Republikës së Serbisë, para Kuvendit Popullor bën betimin, i cili ka këtë tekst:

“Betohem se të gjitha forcat e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe realizimit të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe të pakicave, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe se me ndërgjegje dhe përgjegjësi do të përmbushi të gjitha detyrat e mia”.

Por “Kosovën e Metohinë” si pjesë të shtetit serb i përmban edhe Kushtetuta e këtij vendi fqinj.

Që në preambulë të Kushtetutës së Serbisë shkruan:

“Duke u nisur nga tradita shtetërore e popullit serb dhe barazia e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve etnike në Serbi.

Duke u nisur nga ajo se Krahina e Kosovës e Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë, se ka pozitën e autonomisë thelbësore në kuadër të shtetit sovran të Serbisë dhe se nga pozita e tillë e Krahinës së Kosovës e Metohisë burojnë detyrimet kushtetuese të të gjitha organeve shtetërore që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore në Kosovë e Metohis në të gjitha raportet e brendshme e të jashtme politike, qytetarët e Serbisë miratojnë Kushtetutën e Republikës së Serbisë”.

Këtë përmbajtje detyruese me kushtetutën e shtetit të tyre e mbrojnë me kokëfortësi shtetarët e vendit tonë fqinj, ani pse 114 vende të botës, anëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa vetë shteti funksionon brenda kufijve të vet me mbrojtje ndërkombëtare, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të veta. Vetë dialogu në Bruksel vetëkupton se ai zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, që janë Kosova dhe Serbia.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: