TIRANË

Debat për lirinë e shprehjes në rrjetet sociale dhe rregullimin e tyre në studion e “Real Story” në News24. Gazetarja Mira Kazhani tha se ka ardhur momenti që të rregullohet media sociale dhe se qeveritë ose ligjvënësit duhet të bëhen gati për t’u bërë rregullatorë.

Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtuese e Departamentit të Humaniteteve dhe Komunikimit në UET tha se nëse jemi për lirinë si koncept nuk mund të jemi për rregullimin nga shteti sepse janë zërat alternativë.

Ndërkohë sociologu Ergys Mërtiri tha se ndalimi i platformës ndaj Trump tregon se nuk janë platforma neutrale por politike.

Kazhani: Ka ardhur momenti që duhet patjetër të rregullohet media sociale. Media sociale është një hapësirë lirie por dhe një hapësirë kaosi, manipulimi gënjeshtrash që i nxit njerëzit dhe mund t’i çojë ata në kacafytje. Këtë tha dhe Angela Merkel, tha që qeveritë duhet të bëhen gati për t’u bërë rregullatorë të mediave sociale. Kur them qeveritë, kam parasysh liderët, politikanët, ligjvënësit. Është momenti që të rregullohet kjo histori nga lidershipi. Duhet të krijohet një ligj, platformë. A ka një mënyrë, ose do t’i themi derrit dajë.

Budini: Që kjo të mos ndodhë si imponim, si formë censurimi, si formë dhune gjithashtu se i bie t’i përgjigjesh dhunës me dhunë. Dhe nga mediat tradicionale pritet që të bëjnë vetërregullim. Në qoftë se jemi për lirinë si koncept nuk mund të jemi për rregullimin nga shteti. Ne skandalizohemi për censurën që ndodh në Kinë apo në Rusi. Imagjinoni sa e rrezikshme është sikur këto rregullime të vijnë nga shtete që nuk kanë tradita demokratike. Mund të ndodhë evoluim, reformim në SHBA dhe në disa vende të Europës ama është shumë problematike sepse ato që janë zërat alternativë, ndaj pushtetit, qendrat e vogla të pushtetit, aktorët që nuk i gjejmë në media tradicionale, çështje, afera, filmime apo regjistrime të fshehta që mezi gjejnë hapësirë në mediat tradicionale, për shkak të kontrollit, mekanizmave ku e gjejnë terrenin.

Mërtiri: Mediat sociale janë burimi i madh drejt një botë të re që po shkon drejt një rreziku totalitar. Kemi sulmin në Kapitol Hill por dhe black lives matter. Establishmenti nuk reagoi duke e dënuar por i mbështeti. A do bëhet politika e së ardhmes, më e kthjellët, më me këmbë në tokë, më tolerante? Rrjetet sociale duhen ndërtuar si platforma neutrale. Ndalimi i platformës ndaj Trump tregon se nuk janë platforma neutrale por politike.
Gjithmonë e më shumë platformat janë radikale. E majta nuk është më ajo e majta liberale, socialdemokrate, tashmë shkohet drejt marksizmit si e djathta ka prirje drejt fashizmin në momente të caktuara. Nuk duhet fajësuar njëra palë sepse rrit polarizimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb