Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

FSHEHJA E SË VËRTETËS PËR ELIMINIMIN E KRYEMINISTRIT

Qëndrimi i mbajtur nga organet më të larta të partisë dhe të shtetit ndaj ngjarjes me anëtarin e Byrosë Politike dhe kryeministrin e vendit ishte i paprecedent në historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Edhe në vende të tjera nuk ka raste tragjedie të ndodhur ndaj një kryeministri në detyrë dhe familjes së tij. Vdekja e kryeministrit njoftohet nga institucionet më të larta të Partisë dhe të shtetit si një problem i dorës së dytë.

Njoftimi zyrtar në gazetën ‚Zëri i popullit‘, e cila ishte zëdhënësja kryesore e Partisë së Punës, nuk ka pasur faktikisht vlerësimin që kërkohej dhe ishte në nderin e partisë në fuqi dhe të veprimtarisë dinjitoze të shtetit dhe nderit të popullit dhe të kombit për personalitetet dhe njerëzit me kontribute të veçanta shtetërore dhe shoqërore. Në faqen e parë, në pjesën e majtë, ku zinin vend gjithmonë artikujt për problemet më të rëndësishme, shkruhej për detyrat e realizimit të planit ekonomik të shtetit.

Njoftimi dhe nekrologjia për Kryeministrin bëhej telegrafisht në pjesën e djathë, po të faqes së parë. Sipas vendosjes, rëndësinë kryesore atë ditë e merrte plani ekonomik dhe vihej në plan të dorës së dytë njoftimi për kryeministrin që kishte pasur detyrë kryesore edhe realizimin e planit ekonomik të shtetit. Dokumenti zyrtar i publikuar për medien ndërkombëtare ka njoftuar vetëm motivin, se Mehmet Shehu, “në një moment krize nervore, vrau veten”.

Në rrethana të veçanta dhe kur kërkohen njoftime të shpejta për medien, mund të jepen njoftime të shkurtra, “flesh”. Në këto kushte ato janë të dobishme pikërisht për njoftimin që bëhet publikisht për të evidentuar problemet më të rëndësishme. Me kalimin e kohës, mblidhen të dhëna më të plota dhe bëhet njoftimi, diskutimi, shkruhen artikuj të ndryshëm, organizohen analiza më të gjera etj. Për ngjarje me rëndësi shtetërore vëmendja dhe interesimi i shoqërisë janë tepër të mëdha.

Prandaj media dhe institucionet përkatëse shtetërore punojnë me intensitet dhe përgjegjësi për të sqaruar, dokumentuar dhe arritur në përfundime të sakta. Publikimi i tyre është përgjegjësi e shtetit për të sqaruar opinionin shoqëror dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve të dala. Këto kërkesa ligjore dhe të detyrueshme nuk u zbatuan në rastin e ngjarjes së vdekjes së kryeministrit. Mbeti vetëm njoftimi i shkurtër.

Deklarimi i kryeministrit si armik e tradhtar i partisë dhe i popullit dhe poliagjent

MBLEDHJA E BYROSË POLITIKE

MEHMET SHEHU DEKLAROHET ARMIK DHE DËNOHET SI TRADHTAR

18 dhjetor 1981 ora 10:00

Me gjithë ngjarjen e rëndë të vdekjes së kryeministrit në detyrë, mbledhja e së nesërmes vijoi saktësisht në orën e programuar, madje edhe me vazhdimin e rendit të ditës të ndërprerë në mesnatë kur jetonte vetë Mehmet Shehu. Mbledhja u zhvillua sipas njoftimit të bërë një ditë më parë. Duke iu referuar të dhënave të botuara:

Mbledhja e Byrosë Politike vijoi sikur Mehmet Shehu të ishte gjallë, me të njëjtin qëllim si dhe në seancën e mbrëmjes së një dite më parë. Pamjet e kësaj mbledhjeje u transmetuan për herë të parë në vitin 2010, ndërkohë që ato të mbledhjes së një dite më parë nuk janë gjetur ende. Në këtë filmim thuhet se Byroja Politike ishte duke dëgjuar fjalën e Hoxhës, të regjistruar në magnetofon, kur ky i fundit hyri në sallë. Me figurë e me zë është dokumentuar gjendja e tensionuar në sallë dhe pritja e udhëheqësit për të dhënë verdiktin e fundit. Enveri ishte duke ngjitur shkallët kur një zë i një personi të pranishëm njoftoi për ardhjen e tij.

Zëri u ndërpre, salla u ngrit në këmbë dhe të gjithë njëherazi nisën të brohorisnin: “Enver Hoxha! Enver Hoxha!. E para u shfaq hija e tij, pastaj ai vetë: i zbehtë në fytyrë, pamje që dëshmonte gjendjen e tij shëndetësore të rënduar, i veshur me një kostum të çelur dhe me një buzëqeshje artificiale, siç impononte situatat e rënda për të dhe udhëheqjen. Nuk u manifestua entuziazmi dhe duartrokitjet e zakonshme për ardhjen e udhëheqësit si në mbledhjet e tjera!? Kjo situatë e rëndë, si edhe qëndrimet, pamja e jashtme e tonet e zërit në mbledhje lënë të kuptohet edhe versioni se udhëheqja në heshtje ndiente përgjegjësi.

Vrasja e Mehmet Shehut, e deklaruar si vetëvrasje, përgjithësisht nuk pranohej nga opinioni shoqëror dhe veçanërisht nga komunistët dhe organizmi më i lartë partiak, anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së. Edhe ata më besnikët kishin rezerva për përfundimin tragjik të shokut të tyre të viktimizuar. Enveri me autoritetin e tij të jashtëzakonshëm e të plotfuqishëm do të impononte e ligjëronte qëndrimin zyrtar për kryeministrin tradhtar.

Enveri pyeti: – “Kush po fliste”. Iu përgjigj Ramiz Alia: – “Shoku Simon”. Enver Hoxha bëri një shenjë të thjeshtë dhe filloi të flasë ngadalë. Salla në heshtje të plotë dhe me sy të drejtuar tek ai dëgjoi ligjëratën e legjendës së tradhtisë dhe dënimit të rreptë për kryeministrin që nuk jetonte më. Në fjalën e tij Enver Hoxha ka thënë: “Tani dhe unë do të lexoj, ashtu siç e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t‘i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo do të zhvillohet në mungesë të tij, se ai u tregua armik i PPSH-së deri në çastin e fundit derisa vrau veten. Por partia, si kurdoherë, është e fortë dhe në gjendje t‘i kapërcejë të gjitha vështirësitë, ashtu sikurse ka kapërcyer edhe të tjera të tilla dhe më të mëdha, prandaj puna jonë vazhdon.“

“Byroja Politike po diskuton për një çështje me shumë rëndësi, për gabimin e madh që bëri Mehmeti duke aprovuar fejesën e djalit me një vajzë që në rrethin e babait e të nënës së saj ka 6-7 armiq të pushtetit tonë popullor, të arratisur, kriminelë lufte, të burgosur dhe të internuar….”

Po kështu, ndërmjet të tjerash, në atë mbledhje Enver Hoxha thekson: “…Mehmeti, jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por mendoi ta bënte ‘fait acompli‘ me një nxitim të pashpjegueshëm. Këtë çështje unë e mora vesh indirekt nga djali im Iliri, të cilin e kishte ftuar në fejesën e Skënderit. Po të gjykosh, edhe kjo ftesë nuk ishte pa hile. Pse të asistonte djali im në vizitën e parë që bënte e fejuara e Skënderit me prindërit e këtij? Që unë ta merrja vesh indirekt? Që të tatonte pulsin tim dhe të më kompromentonte edhe mua e familjen time në këtë çështje? Ne në familjen tonë, për Qazim Turdiun nuk dinim gjë tjetër përveç asaj që ai ishte profesor matematike, kurse rrethin familjar, qoftë të tij, ashtu dhe të së shoqes, s’e njihnim fare. Shkuam tok me Nexhmijen te Mehmeti, më shumë ta uronim për shtëpinë e re. Aty gjetëm fëmijët dhe të fejuarën e Skënderit. i uruam, bëmë dhe fotografi. Mehmeti me Fiqiretin ishin shumë të gëzuar. Po si nuk u shqetësuan pak në ndërgjegjen e tyre, që po përzienin e futnin në këtë valle të ndyrë shokun Enver? Ata mendonin se me këtë prezantim u vulos kjo punë, u mor aprovimi i shokut Enver. Fotografitë që u bënë me mua, shkuan te Qazim Turdiu, apo deri në Athinë, me skuadrën e vajzës, dhe që andej, pse të mos i shkonin edhe Arshi Pipës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të shikonte kështu se me kë iu fejua mbesa, dhe për këtë fakt drejtohej edhe vërtetimi me fotografi.“

Enveri rikthehet në analizën e mbledhjes së një dite më parë, duke theksuar se më 17 dhjetor 1981 filluan diskutimet në mbledhjen e Byrosë Politike. Të gjithë shokët, të vjetër e të rinj, diskutuan dhe e dënuan me vendosmëri aktin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut me një vajzë, në familjen e së cilës kishte 6-7 kriminelë lufte. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre për autokritikën e Mehmet Shehut. Kritika e anëtarëve të Byrosë Politike ishte e fortë, e hapur, bolshevike, por si dënim u kërkua vetëm „vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit“.

Në këtë frymë e kisha përgatitur edhe unë diskutimin tim. Po, për shkak se qe bërë vonë, diskutimi im nuk u mbajt atë ditë. U la kështu që mbledhja të vazhdonte të nesërmen, por në fund të diskutimeve të ditës së parë i thashë Mehmetit: – Reflekto thellë gjithë natën dhe nesër thuaj në Byronë Politike se nga ç‘motive je nisur. Alibia e fejesës nuk qëndron, tjetër gjë të ka shtyrë në këtë veprim të dënueshëm. Ajo që i thashë e alarmoi Mehmetin.

“Trimi” Mehmet Shehu u mendua për tërë natën si të shpëtonte nga kjo dorë. Ai, siç duket, gjykoi kështu: “I vdekur se i vdekur jam, më mirë të shpëtoj ç‘mund të shpëtoj” dhe vendosi të bëjë si shoku i tij Nako Spiru, të vriste veten, duke menduar se partia këtë farë “burrë shteti”, “udhëheqës legjendar”, “partizan e luftëtar i Spanjës” do ta varroste me nderime, do ta çnjolloste duke thënë se “i shkrepi arma në duar”. Fiqiret Shehu, me gjakftohtësi e cinizëm, pranoi vetëvrasjen e të shoqit, mjaft që të shpëtonte veten, djemtë dhe të kaluarën e tyre “historike”.

Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Sapo më njoftuan për aktin e fundit të Mehmet Shehut, në moment propozova që të dënohet vetëvrasja e tij. UDB-ja dhe CIA mbetën me gisht në gojë. Agjencitë e huaja të lajmeve relatuan faktin ashtu sikurse e thamë ne, që Mehmet Shehu „në një krizë nervore vrau veten“. Aty-këtu u bë ndonjë koment, paguar nën dorë nga jugosllavët. Por as jugosllavët nuk mundën ta shfrytëzonin këtë akt në shtypin e tyre zyrtar, veç ngarkuan një gazetë të studentëve të Zagrebit të shkruante „dramën“ që kishte ngjarë në mbledhjen e udhëheqjes shqiptare (sipas versionit që kishte planifikuar UDB-ja). „… „

Enveri i ka kushtuar vëmendje propagandimit dhe dokumentimit të versionit se “Mehmeti ia hoqi vetes pasi mori mesazhin nga Hazbiu”. Me idenë e vetëvrasjes Enveri synon edhe të dokumentojë këtë fakt, me qëllim që kështu të kuptohet edhe në rrjedhën e historisë. “Kështu duhen kuptuar këto gjëra në rrjedhën e historisë. Se jo të gjithë i kuptojnë kështu.” Argumentet që ka dashur të imponojë Enveri janë dëshmi e përgjegjësisë së dyshuar të tij si urdhërues i vrasjes.

As që mund të mendohet se Mehmeti do të vriste veten nga një mesazh i Kadriut. Vënia në plan të parë e Kadriut, akuzat ndaj Mehmetit dhe Kadriut për veprimtari agjenturore në shërbim të agjenturave të huaja, urdhri nga Beogradi për vrasje etj. janë manovrime për të larguar fajësinë tek armiqtë imperialistë e revizionistë që bashkëpunonin e komplotonin kundër Partisë dhe Enverit.

– Mehmet Shehu u dënua si armik, tradhtar e poliagjent i shteteve të huaja

U ripërsërit e gjithë legjenda e vjetër dhe e re se ai që në fillimet e veprimtarisë së tij kishte qenë “armik”, “agjent i rrezikshëm” dhe se vetëvrasja e tij lidhej me pamundësinë për të eliminuar dhe vrarë Enver Hoxhën, Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së. U argumentuan si prova origjinale dhe të mirëqena “dokumentet e agjenturave të huaja” që ishin ruajtur prej vitit 1964 në kasafortë, në kasafortën e zyrës së Hysni Kapos, me porosi të vetë Enverit. Në këto dokumente Mehmeti cilësohej “agjent” i Inteligjens Servisit britanik, i Gestapos gjermane, i ORVA-s italiane, i shërbimeve sekrete franceze, i UDB-së jugosllave, i KGB-së sovjetike.

Enveri e cilësoi “tradhtar” dhe “poliagjent” “shokun e tij më të ngushtë”. Këtë guxim për të inskenuar, imponuar dhe ligjëruar fabulën për linçimin dhe dënimin e kryeministrit me kontribute të mëdha dhe të mohuara brenda 6 deri 7 orësh pas ngjarjes tragjike të gjetjes të vdekur e të gjakosur dhe pa u bërë hetimet e domosdoshme për të dhënë vendimin ligjor për ngjarjen, e kishte vetëm Enver Hoxha me pushtetin e tij absolut të drejtimit të partisë-shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb