Në orën 17:00 do të luhet sfida e dytë e grupit C, ajo mes Meksikës dhe Polonisë. Duke ditur që në grup është superfavorite si Argjentina, të dyja skuadrat e dinë mirë që përballja mes tyre vendos shumë kalimin e grupit.

Nuk ka favoritë mes Meksikës dhe Polonisë, dy stile të ndryshme loje, me historinë në Kupën e Botës, me tifozëri të zjarrta, që kërkojnë të lënë shenjën e tyre në Katar. Meksika është skuadra më e vjetër pas Iranit në këtë Botëror, me një moshë mesatare 28.4 vite, por brenda ka shumë eksperiencë.

Në krahun tjetër është Polonia, e cila nga viti 1986 nuk ka arritur të kalojë fazën e grupeve. Shumë për një ekip me potencial dhe me disa yje në përbërje, ku spikat Lewandowski. Shtatlarti polak ka bërë shumë mirë në pjesën e parë të sezonit me Barcelonën, por ai në Botëror duhet të thyejë një tabu, të shënojë për herë të parë.

I ndihmuar edhe nga Milik, polakët kësaj here shpresojnë të avancojnë më tej. Meksika dhe Polonia janë ndeshur vetëm një herë mes tyre në Botëror, në vitin 1978, ku polakët fituan 3-1, me Boniek autor të dy golave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb