Mercedes prezantoi sot makinën e quajtur W13 dhe që do të pilotohet nga britanikët Lewis Hamilton e George Russell. Njëvendëshja e këtij sezoni ka braktisur ngjyrën e zezë që e karakterizonte dy vitet e fundit, duke iu rikthyer tradicionales, e argjendtë.

Një makinë që i është përshtatur ndryshimeve të përcaktuara në rregullore këtë sezon, që ka dy objektiva të qartë: Të konfirmohet si makina kampione në Formula 1 dhe të rimarrë titullin kampion për pilotë me Lewis Hamilton, titull që e humbi vjet në xhiron e fundit të sezonit.

Hamilton ka thyer heshtjen dhe është kthyer të flasë para mediave që pas garës që i hoqi nga duart titullin kampion të radhës, duke ia dhuruar Max Verstappen.

“Ishte një periudhë e vështirë për mua dhe një periudhë kur unë kisha nevojë që të bëja një hap prapa dhe të fokusohesha tek e tashmja. Kisha familjen rrotull dhe po krijoja kujtime të bukura me ta.

Derisa mbërrita në një pikë ku vendosa që do të sulmoja përsëri duke u kthyer në sezonin e ri. Unë nuk e kam thënë asnjëherë që do të ndalesha. Unë e dashuroj atë që bëj dhe është një privilegj i madh të punosh me këtë grup të madh njerëzish teksa ndjen se je pjesë e një familje” – u shpreh Hamilton.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb