Të paktën 380 emigrantë të paligjshëm kanë kaluar dje Kanalin Anglez me 10 varka të vogla, e cilësuar si dita më e ngarkuar e vitit për kalimet e paligjshme drejt Britanisë së Madhe. Një burim i “GB News” tha se disa varka të tjera të vogla raportohet se u nisën mëngjesin e djeshëm, por që nuk kishin arritur ende në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Moti i keq i vazhdueshëm ka penguar kryesisht anijet e vogla të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm në numër të konsiderueshëm për më shumë se një muaj. Një përmirësim i motit të shtunën vonë i lejoi bandat kriminale të kontrabandës së njerëzve në Francë të nisnin të largonin varkat e vogla nga plazhet.

Referuar “GB News” shumica e gomoneve janë nisur nga një zonë rreth Gravelines, pranë Dunkirk, rajon ky që u kthye në verë në një kamp gjigand emigrantësh, mes të cilëve qëndruan edhe mijëra shqiptarë që ndërmorën realizimin e kalimit të rrezikshëm të “La Mansh-it”.
Gomonet kanë qenë të monitoruara nga anije të marinës franceze, të cilat kanë një politikë për të mos ndërhyrë për të kapur inflatablet sapo të futen në ujë. Autoritetet franceze ndërhyjnë vetëm nëse varkat e vogla hasin në vështirësi përpara se të arrijnë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Një burim i “GB News” tha se gomonia e parë hyri në ujë në Gravelines rreth orës 19:30 të së shtunës dhe arriti në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar rreth mesnatës.

Anija Vullnetare e Forcave Kufitare mori grupin e parë prej rreth 40 personash në qendrën e përpunimit në Dover, duke mbërritur pak pas orës 1 të mëngjesit. Ata ishin emigrantët e parë që kaluan Kanalin që nga e marta e kaluar, kur 106 persona u shpëtuan nga dy gomone në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Autoritetet janë të përgatitura për mundësinë që mijëra njerëz mund të tentojnë kalimin në ditët në vijim, pasi moti më i qetë pritet të zgjasë deri të mërkurën. Operacionet e sotme në Kanal kanë përfshirë tre catamaran të Forcave Kufitare, dy varka shpëtimi RNLI dhe një aeroplan të rojes bregdetare, së bashku me një tjetër avion mbikëqyrës ushtarak britanik.
Tre anije detare franceze janë përfshirë gjithashtu në shoqërimin e gomoneve teksa ato ishin nisur për në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbërritja e rreth 300 personave me 10 varka të vogla deri më tani sot e çon numrin total të atyre që kanë kaluar që nga nisja e vitit të ri në rreth 450, ndërsa vitin e kaluar, një numër rekord prej 45,756 emigrantësh kaluan Kanalin Anglez. Zyrtarët e Home Office po planifikojnë mundësinë që numri i kalimeve të dyfishohet këtë vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: