Lionel Messi nuk do të marrë pjesë në Olimpiadën Rio 2016. Konfirmimi vjen nga trajneri i Kombëtares së Argjentinës, Tata Martino, sipas të cilit 28-vjeçari kërkon të ruajë energjitë për një tjetër eveniment të rëndësishëm si Copa America që gjatë këtij viti do të luajë edicionin jubilar të 100 vjetorit.

Gjatë muajit Qershor, numri 10 do të zbarkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me kombëtaren bardhekaltër për të siguruar trofeun e parë me këtë fanellë dhe impenjimi do të jetë maksimal, prandaj Messi prefreron të fokusohet te Kupa e Amerikës edhe për faktin se e ka fituar medaljen e artë në vitin 2008 në Pekin, transmeton SuperSport.

“Messi nuk do të shkojë në Lojërat Olimpike pasi ka përpara një verë të ngjeshur me aktivitete dhe parësore për të është Kupa e Amerikës. Më pas duhet të bëjmë llogaritë edhe me ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës 2018. Unë dëshiroj që ai të fitojë medaljen olimpike por kjo nuk duhet të ndodhë me çdo kusht. Një lojtar nuk mund të japë jetën në fushën e lojës”.

Me Kombëtaren e Argjentinës, fituesi i 5 Topave të Artë numëron 105 ndeshje dhe 49 gola të shënuar por asnjë trofe të rëndësishëm.

Në Kupën e Amerikës ai ka luajtur si finalist në vitet 2007 dhe 2015 por nuk ka arritur ta fitojë asnjëherë këtë trofe.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: