Në arsyetimin e tij për mosdekretimin e Gent Cakajt në postimin e ministrit të jashtëm, Kreu i shtetit është ndalur gjatë edhe në deklaratat e tij për cështjen e kufirit mes Kosovës e Serbisë.

Ndërsa vlerëson se përparimi i Dialogut Kosovë – Serbi me qëllim forcimin e perspektivës evropiane të të dy shteteve është një nga zhvillimet më të rëndësishme të rajonit tonë gjithashtu, ndaj gjykon se  në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë.

“Në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhore për vendin dhe interesat kombëtare të tij, gjykoj se në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë.” -thekson Presidenti.

Për Presidentin e Republikës, profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi.

Ndërsa i drejtohet kryeministrit Rama, Meta thekson se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme. Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019: “…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…).

“Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian. Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon. “ vijon më tej Presidenti Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: