TIRANË

Presidenca ka publikuar ditën e sotme përgjigjet për 72 pyetjet që Gjykata Kushtetuese i ka drejtuar Kreut të Shtetit, Ilir Meta, në procesin gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin ose jo të tij.

Mes pyetjeve që Kushtetuesja i drejton Metës është edhe ajo që lidhet me akuzat që Kreu i Shtetit iu ka bërë ambasadorëve të huaj në Shqipëri, duke i quajtur ato të korruptuar.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit zbulon publikisht se në lidhje me akuzat që ai vetë ka ngritur ndaj ambasadorëve, ka informuar zyrtarisht edhe vendet e tyre përkatëse.

“Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë”, shkruan ndër të tjera Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pyetja: Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?

Përgjigjja: Në vijimësi dhe në mënyrë të veçantë gjatë periudhës zgjedhore, Presidenti i Republikës ka patur dhe ka një komunikim të shkëlqyer me misionet diplomatike dhe institucionet ndërkombëtare.

Ky komunikim është i evidentuar edhe në provat që kemi dorëzuar dhe kanë qenë me shkrim, nëpërmjet dokumenteve të shumtë zyrtare dorëzuar atyre, si dhe takimeve po zyrtare. Komunikimi është ndërtuar gjithmonë bazuar në respektim të plotë të Kushtetutës, të ligjeve në fuqi, të sovranitetit dhe reciprocitetit.

Presidenti i Republikës ka refuzuar prerë çdo lloj ndërhyrjeje apo qëndrimi publik nga diplomatë të veçantë, të cilët në mënyrë direkte apo të nënkuptuar, kanë mbështetur shkeljet dhe shkelësit e Kushtetutës, shkeljet e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, shkeljet e ligjit, marrjen nën mbrojtje të personave nën hetim, dhe cenuesit e integritetit të institucioneve të pavarura (rasti “Dvorani”, por jo vetëm).

Presidenti ka refuzuar prerë çdo ndërhyrje nga aktorë të veçantë të trupës diplomatike, që kanë vepruar në shkelje të hapur të statusit të tyre diplomatik dhe Konventës së Vjenës, duke guxuar t`i diktojnë Presidentit të Republikës se si ai duhet të nxjerrë aktet e tij kushtetuese, edhe duke shkelur Kushtetutën dhe degraduar procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, për të pranuar në heshtje rrëmbimin flagrant të kompetencave të Kreut të Shtetit, me pasojë kapjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe jo vetëm.

Presidenti i Republikës është përballur edhe më parë me ndërhyrjet ilegjitime të disa diplomatëve të caktuar, edhe në procesin e ndërtimit të institucioneve të drejtësisë, bllokimin e pajustifikueshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, emërimin antikushtetues me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, apo për veprimet manipuluese dhe jo transparente të ish kreut të KED-së lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Përballë qëndrimit parimor dhe kushtetues të Presidentit të Republikës, këta diplomatë janë tërhequr dhe kjo ka qenë provë e padiskutueshme e principialitetit të Presidentit të Republikës në çdo situatë.

Presidenti i Republikës ka një marrëdhënie zyrtare plotësisht të dokumentuar dhe tejet konstruktive me partnerët kryesorë të vendit tonë, e në veçanti për Reformën në Drejtësi, sidomos me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Britaninë e Madhe.

Këta partnerë gjithmonë janë informuar në kohë, zyrtarisht dhe shkresërisht nga Presidenti i Republikës për përpjekjet e ethshme të qeverisë dhe mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, në dhunim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës ka bërë gjithçka për të parandaluar konfliktet publike të cilat ndodhën midis Presidentit dhe Kuvendit, apo KED-së dhe qeverisë, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilat mund të ishin shmangur plotësisht nëse Presidenti nuk do të ishte vënë para fakteve të kryera, që i kishte paralajmëruar disa herë e në mënyrë të përsëritur se nuk do t`i toleronte.

Presidenti i Republikës i ka tërhequr vëmendjen çdo diplomati që nuk e nderoi respektimin e marrëveshjes 5 qershorit 2020, por me deklarata publike i dhanë alibi mazhorancës për të bërë ndryshime të njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit (ky ishte dhe burimi kryesor i tensionit dhe mosbesimit të palëve në prag të zgjedhjeve).

Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij. Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb