Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, se kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është i informuar për veprimet e prokurorëve të SPAK. Por a do të ketë SPAK një masë sigurie për Ilir Metën dhe nëse po, kur pritet të ndodhë një gjë e tillë?

Lala tha se trendi i SPAK janë aksionet në fundjavë, por nuk dha detaje konkrete nëse edhe Ilir Meta do të jetë objektiv i operacioneve të Prokurorisë së Posaçme për dosjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA apo edhe hetimin pasuror. Çështje për të cilat po zhvillohen hetime ndaj Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij.

Ajo shtoi gjithashtu se nga mënyra si po sillet Meta, tregon se ka një strategji të mirëmenduar nga ai.

Pjesë nga intervista

Nisida Tufa: Këto fundjavat rezultojnë me shumë zhvillime sa i takon SPAK-ut…
Klodiana Lala: Në fakt e ka kthyer si trend Prokuroria e Posaçme që çdo fundjavë ka aksione, si përsa i përket goditjeve në radhët e politikës apo edhe të krimit të organizuar. Por ka një gjë, ajo që mua më duket anormale ka të bëjë me rrethin vicioz ku është futur kjo çështje. Unë nuk me di se çfarë politikisht fiton zoti Meta, por juridikisht nëse nesër ai shkon me një akuzë dhe këtë do ta vendosin prokurorët apo të ketë një masë sigurie, në fakt betejën nuk do ta ketë nga një tribunë apo foltore, por do ta ketë në sallën e gjyqit.

Nisida Tufa: Meta mund të ketë dijeni apo informacion për akuzë konkrete ndaj tij?
Klodiana Lala: Mendoj që po. Që zoti Meta është i mirëinformuar për veprimet e prokurorëve. Siç e thashë, nuk ka nevojë të ketë një njeri për ta informuar direkt se çfarë ndodh brenda, por ai e kupton nga mënyra si zhvillohen ngjarjet rreth e rrotull tij. Zoti Meta, në mënyrën si po sillet jam e sigurt që ka një strategji të mirëndërtuar në kokën e vet, se ku do të dalë mbetet për t’u parë. Hetimi është shumë interesant, tamam si një rrjetë merimange, që ka nisur si një gjë e vogël ku zoti Meta pretendon se nuk ka asnjë lidhje me CEZ-DIA sepse nuk ka patur vendimmarrje, por në thelb fakti që është kërkuar informacion për lobimin në SHBA, është kërkuar informacion nga SHBA, nga autoritetet austriake, çeke, të vendeve të ndryshme. Janë pyetur shumë personazhe. Është pyetur Ervis Mata që ka dhënë një dëshmi shumë të detajuar, ka qenë ndër drejtorët kryesorë në kompaninë e Kastriot Ismailajt. Është Kastriot Ismailaj i cili gjithashtu ka dhënë një dëshmi, është bashkëshortja e tij Vojsava Ismailaj e cila ndodhet me statusin e azilantes ka dhënë dëshmi për SPAK. Ka shumë persona pranë zotit Meta, njerëz të rëndësishëm. Është pyetur zoti Braimllari. Vetë zoti Meta është pyetur në dy raste, zonja Kryemadhi po ashtu. Së fundmi është pyetur Ralf Gjoni, qëndroi disa orë në Prokurori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb