Presidenti Ilir Meta i ka kthyer mbrapsht Kuvendit Aktin Normativ të Paketës Anti- KÇK duke konstatuar se shkel Kushtetutën dhe parashikimet për funksionimin e SPAK dhe GJKKO.

Meta në arsyet që shkruan në dekret thotë se Nisma Anti- KÇK, dhe më saktë OFL nuk është urgjente për të luftuar krimin e organizuar dhe grupet kriminale si dhe nuk është e konsultuar por e nxituar për t’u miratuar nga Kuvendi.

Po ashtu për masat e ndërmarra për forcimin e institucioneve përkatëse Meta shprehet se Shqipërisë nuk i mungon as legjislacioni dhe as Policia Gjyqësore për kryerjen detyrat sipas kuadrit ligjor.

Për pjesëmarrjen në Operacionin Forca e Ligjit, të strukturave të drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe GJKKO Meta argumenton se

”Parashikimi i pjesëmarrjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së
Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, jo vetëm që nuk përputhet me funksionet
kushtetuese dhe ligjore të tyre, por cenon pavarësinë dhe paanësinë e tyre në kryerjen e detyrës.”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 18/2020
“PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR. 1, DATË
31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ‘PËR MASAT PARANDALUESE NË
KUADËR TË FORCIMIT TË LUFTËS KUNDËR TERRORIZMIT, KRIMIT TË
ORGANIZUAR, KRIMEVE TË RËNDA DHE KONSOLIDIMIT TË RENDIT E
SIGURISË PUBLIKE”’
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë
e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për masat parandaluese në
kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda
dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”’, për rishqyrtim sipas arsyetimit
bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 11456
Tiranë, më 26.03.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
2
ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 18/2020 “PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E
LIGJIT NR. 1, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,
‘PËR MASAT PARANDALUESE NË KUADËR TË FORCIMIT TË LUFTËS KUNDËR
TERRORIZMIT, KRIMIT TË ORGANIZUAR, KRIMEVE TË RËNDA DHE
KONSOLIDIMIT TË RENDIT E SIGURISË PUBLIKE’”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 5 mars 2020 ka miratuar ligjin nr. 18/2020 “Për
miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për
masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve
të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike’”. Ky ligj me shkresën nr. 945 prot, datë
10.03.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se akti normativ me fuqinë e ligjit është hartuar nga
Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit parlamentar (relacionit shoqërues të projektligjit, Raportit të
Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut) kjo nismë ligjore
ka për qëllim:
• Ndërhyrjen emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe
ashpërsimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit
të rendit e sigurisë publike.
• Përcaktimin e masave parandaluese me karakter të përkohshëm në kuadër të forcimit të luftës
ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, organizatave terroriste, bandave të
armatosura, individëve të përfshirë në krime të rënda si dhe procedurat, kompetencat e kriteret
për zbatimin e këtyre masave ndaj subjekteve të këtij akti normativ.
Veçanërisht, nga Raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat
e Njeriut, citohet se:
• Nxjerrja e këtij akti normativ nga Këshilli i Ministrave është diktuar nga nevoja për
sanksionimin e marrjes së masave parandaluese me karakter personal, pasuror e ekonomik
ndaj një kategorie të caktuar subjektesh, për të cilat ka dyshime apo informacion se janë të
përfshira, ndihmojnë apo financojnë veprimtari të krimit të organizuar, krimeve të rënda,
terrorizmit apo bandave të armatosura, duke përbërë rrezik dhe cenuar sigurinë publike.
3
• Përparësitë dhe efektiviteti i këtij akti normativ konsistojnë në fuqizimin e mekanizmave
identifikues/gjurmues, si dhe në rritjen e proaktivitetit të Policisë së Shtetit. Në veçanti për
marrjen “në kohën e duhur” të masave dhe veprimeve parandaluese me karakter personal,
pasuror e ekonomik, si dhe në goditjen efikase ndaj të gjitha aseteve, pasurive dhe të ardhurave
nga aktivitete të paligjshme të krimit të organizuar, terrorizmit apo pasurive, për të cilat
subjektet e këtij akti normativ nuk mund të provojnë ligjshmërinë e burimit, krijimit apo fitimit
të tyre.
Gjithashtu, përgjatë shqyrtimit të praktikës paralamentare me qëllim evidentimin e argumenteve
justifikuese mbi nevojën dhe urgjencën e këtij akti, u konstatua se, në Raportin e Komisionit për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera citohet se:
“U vu re se ligji antimafia nuk po funksiononte ashtu siç duhej, si edhe një çoroditje e sistemit
gjyqësor dhe i prokurorisë me disa vendimeve, që janë bërë të njohura për të gjithë opinionin
publik nëpërmjet medias. Në këto kushte, por edhe për nevojën emergjente deri sa të krijohet
struktura e posaçme për investigimin e aseteve kriminale, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit,
u miratua ky akt normativ”.
Presidenti i Republikës shqyrtoi në tërësi të gjithë praktikën parlamentare, ku përfshihen
edhe këto deklarime si më sipër, të përdorura si justifikim për ngutin e treguar në miratimin
e këtij akti normativ, si dhe pasi vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin
e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për
masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar,
krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, me Kushtetutën e
Republikës së Shqipërisë, konstatoi se, Akti Normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020:
• Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;
• Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
• Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e
drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
• Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
• Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të
përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e
Gjykatës Kushtetuese;
• Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme
dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
• Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
Bazuar në këto konstatime arsyetimi i të cilave do të parashtrohen në vijim, në bindje të
Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1 të
nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit
4
normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për masat
parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të
rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike’”, i duhet kthyer Kuvendit, pasi shkel në mënyrë
të drejtpërdrejtë nenet 7, 17, 27, 38, 41, 42, 81/2, 83, 101, 116, 136/2, 148/2, 148/dh, 149/ç, të
Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të
Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
I. Akti Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për masat
parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar,
krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, i miratuar me Ligjin nr.
18/2020 është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës
së Shqipërisë.
Akti normativ me fuqinë e ligjit nuk është nxjerrë në kushtet e urgjencës apo të një boshllëku
legjislativ, kërkesa këto që diktohen nga parashikimet e nenit 101 i Kushtetutës. Miratimi i këtij
akti normativ në shkelje të procedurës kushtetuese dhe të disa të drejtave dhe parimeve themelore
të mbrojtura nga Kushtetuta.
1. Neni 101 i Kushtetutës përcakton se:
“Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë
akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte
normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i
mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi
brenda 45 ditëve.”
2. Kjo dispozitë kushtetuese ka autorizuar Këshillin e Ministrave për nxjerrjen e akteve normative
me fuqinë e ligjit, vetëm nëse përmbushen këto kushte kumulative:
– Nevoja dhe urgjenca si kushte për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit;
– Masat që merren të jenë të përkohshme, për të kapërcyer situatën e nevojës dhe urgjencës;
– Kuvendi si rregull, duhet të mblidhet brenda 5-ditëve për ta shqyrtuar aktin, por në çdo
rast, Kuvendi duhet t`i miratojë masat e vendosura me akt normativ brenda 45 ditëve,
ndryshe ato e humbasin fuqinë që nga fillimi.
3. Gjykata Kushtetuese ka çmuar se nevoja dhe urgjenca janë elemente me rëndësi të veçantë në
përmbajtjen e nenit 101 të Kushtetutës dhe, si të tillë, janë elemente përcaktuese për të drejtën që
sanksionon kjo dispozitë. Kuptimi i tyre është autonom, i lidhur me tërësinë e përmbajtjes së
dispozitës dhe me parimet bazë që përshkojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë1
.
1 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjyktës Kushtetuese.
5
4. Nevoja dhe urgjenca janë rrethana dhe situata fakti që vlerësohen rast pas rasti. Ato mund të
shkaktohen nga faktorë të ndryshëm jetësorë, natyrorë e shoqërorë. Si raste të tilla përmendim
fatkeqësitë natyrore, boshllëku legjislativ i shkaktuar nga shfuqizimi i akteve, nevoja për efekte
të menjëhershme në fusha me ndjeshmëri të madhe publike, parandalimi i menjëhershëm i
spekulimeve. Ajo që i bashkon të gjitha këto situata është fakti se përfaqësojnë një gjendje jo të
zakonshme në jetën e vendit ku evidentohet dukshëm rreziku i ardhjes së pasojave të dëmshme për
interesat publike ose për të drejtat themelore të shtetasve. Ky rrezik dikton nevojën e masave të
menjëhershme, por që legjislacioni ekzistues nuk i mundëson dot2
.
5. Nevoja dhe urgjenca duhen kuptuar si parakushte të domosdoshme, mosqenia e të cilave do të
kishte si pasojë pavlefshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Mungesa e tyre shndërrohet në
ves të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, në vijim, në ves të
ligjit që e ka miratuar atë. Duke qenë kushte paraprake, nevoja dhe urgjenca duhet të jenë vërtetuar
se ekzistojnë përpara momentit të marrjes së nismës nga qeveria për nxjerrjen e aktit normativ me
fuqinë e ligjit. Këto dy kushte duhet të jenë gjithashtu të pranishme, të lidhura e të ndërvarura dhe
në momentin kur nxirret akti normativ me fuqinë e ligjit. Nëse ekziston nevoja për nxjerrjen e një
ligji, por pa ndonjë urgjencë të dukshme, qeveria nuk mund të ndërmarrë nismën për nxjerrjen
e aktit normativ me fuqinë e ligjit, pasi kjo përbën një detyrë të pushtetit ligjvënës.
Vetëm kur situata e krijuar vlerësohet e pamundur të presë aq kohë sa nevojitet për nxjerrjen e
ligjit të nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuara, nisma
ligjvënëse mund t’i kalojë qeverisë. Nëse nuk do të vlerësohej ky aspekt, qeveria do të merrte,
pa të drejtë, funksionet ligjvënëse të Kuvendit. Kushtetuta, nëpërmjet nenit 101 të saj, ka lejuar
që pushteti ekzekutiv të mund të miratojë akte që kanë të njëjtën fuqi si ligjet vetëm kur rasti
shfaqet si i jashtëzakonshëm dhe nevoja e urgjenca bëjnë të pamundur ushtrimin e kompetencës
ligjvënëse nga Kuvendi3
.
6. Nga ana tjetër, elementi urgjencë nuk mund të ekzistojë në vetvete pa nevojën, sepse urgjenca
tregon vetëm një situatë që nuk mund të presë, ndërsa nevoja tregon substancën e saj, përcakton
situatën që kërkon zgjidhje, tregon marrëdhënien shoqërore që kërkon rregullim ligjor. Prania e
domosdoshme e të dy elementeve rezulton edhe nga analiza gjuhësore e tekstit të nenit 101 të
Kushtetutës. Lidhëza “dhe” si në çdo rast, kërkon praninë e njëkohshme të të dy elementëve, në
dallim nga rastet e tjera kur në dispozitën ligjore janë përdorur lidhëset “ose”/ “apo”. Kuptimin e
tyre të vërtetë termat nevojë dhe urgjencë e manifestojnë në kuadër të situatës të rastit konkret,
duke i vlerësuar në kohën kur është vërtetuar prania e tyre. Nga kuptimi i përmbajtjes së nenit 101
të Kushtetutës rezulton se vlerësimin e parë faktik dhe substancial të këtyre elementeve i përket ta
bëjë, qeveria. Ajo nuk mund të ndërmarrë një nismë për nxjerrjen e një akti normativ me
fuqinë e ligjit, pa vlerësuar më parë rrethanat e krijuara që kanë shkaktuar nevojë dhe
urgjencë. Natyra e vlerësimit që bën ky organ është faktik dhe juridik4
.
2 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
3 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
4 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
6
7. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në jurisprudencën e saj se Qeveria është e detyruar të
shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë
aktin normativ me fuqinë e ligjit. Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Qeveria është
e detyruar ta pasqyrojë shpjegimin në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr,
minimalisht në preambulën e tij5
.
8. Në relacionin shoqërues të aktit normativ jo vetëm që mungon sqarimi qoftë formal i
nevojës dhe urgjencës për propozimin dhe miratimin e këtij akti, por edhe nga shqyrtimi i
qëllimit dhe objektit të nismës, është e qartë se nuk ka asnjë rrethanë faktike, objektive që
të kërkonte apo që të legjitimojë ushtrimin e kompetencës që neni 101 i Kushtetutës ia njeh
Këshillit të Ministrave.
9. Përkundrazi, lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë,
ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga
krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara
me ligj.
10. Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe
çdo grupi tjetër kriminal, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, siç
citohet në nenin 2 të aktit normativ, nuk mund të jetë një qëllim i përkohshëm, që kërkon masa
të përkohshme. Masat e përkohshme janë të justifikuara kur pranohet gjerësisht se gjendja është
aq alarmante sa nuk mund të përballohet më me legjislacionin aktual dhe se kërkon patjetër
ndërhyrje dhe masa të jashtëzakonshme. Përkundrazi, nevoja për konsolidimin e sigurisë në
vend, kërkon masa dhe politika afatgjata, të cilat u vlerësuan në mënyrë të thelluar kur
legjislacioni u amendua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, në vitin 2017.
11. Nga ana tjetër, lufta ndaj krimit të organizuar apo krimeve të rënda, patjetër që mund të arrihet,
siç citohet në nenin 2 të aktit normativ, përmes “rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit,
gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit
prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme”. Por referuar këtij parashikimi
është e paqartë se si akti normativ në vetvete, ndihmon në forcimin e këtyre mjeteve, pra në rritjen
e kapaciteteve dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit, kur përcaktimi i kompetencave
të qarta të secilës strukturë ligjzbatuese nuk ka munguar asnjëherë në legjislacionin e brendshëm.
12. Në Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e
Njeriut, citohet se: “U vu re se ligji antimafia nuk po funksiononte ashtu siç duhej, si edhe një
çoroditje e sistemit gjyqësor dhe i prokurorisë me disa vendimeve, që janë bërë të njohura për të
gjithë opinionin publik nëpërmjet medias. Në këto kushte, por edhe për nevojën emergjente deri
5 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
7
sa të krijohet struktura e posaçme për investigimin e aseteve kriminale, siç është Byroja Kombëtare
e Hetimit, u miratua ky akt normativ”.
Nëse është realizuar një analizë e tillë ex post e mbështetur në fakte, që na tregon se një pjesë e
legjislacionit të brendshëm nuk është më efektiv dhe nuk zbatohet, atëherë po mbështetur në një
analizë juridike dhe faktike, duhet të:
– propozoheshin një set masash për forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për
zbatimin e ligjit; dhe
– nëse këto masa rezultojnë të pamjaftueshme, mund të ndërmerren nisma për propozimin e
amendamenteve ligjore, duke respektuar procesin e hartimit gjithëpërfshirës të nismave
dhe konsultimit publik të tyre, para miratimit.
13. Por asnjë analizë e tillë nuk është bërë, duke shkelur hapur parimet kushtetuese dhe duke
miratuar një akt normativ jo vetëm në shkelje të kompetencave kushtetuese që i njihen Këshillit të
Ministrave, por edhe në shkelje të një sërë funksioneve që Kushtetuta ia ka njohur disa prej
organeve të drejtësisë, siç do të evidentohet më poshtë.
14. Nuk ka asnjë sqarim se pse situata e krijuar vlerësohej nga Qeveria e pamundur të priste aq
kohë sa nevojitet për nxjerrjen e ligjit të nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet
procedurave të përshpejtuara. Apo çka e bën më të rëndë nxjerrjen e rregullave të miratuara me
aktin normativ nr. 1, është fakti se, nëse vërtet këto rregulla diktohen nga nevoja emergjente për
luftimin e krimit të organizuar, dhe është e qartë që kjo nevojë nuk ka lindur tani, pse nuk u
ndërmor më herët nisma ligjvënëse?! Këto pyetje jo vetëm që nuk marrin përgjigje, por tregojnë
njëkohësisht edhe mangësitë e rënda në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të organeve
shtetërore. Për ilustrim, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe
Konfiskuara është një organ në varësi të Ministrisë së Financave që ka patur gjithë informacionin
e nevojshëm statistikor për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjeve në legjislacionin në fuqi. Kjo nevojë
pasqyrohet në miratimin e Planit të Përgjithshëm Analitik të Akteve që miraton dhe zbaton çdo vit
Këshilli i Ministrave, duke i dhënë kohën e nevojshme të planifikojnë miratimin e ndryshimeve
ligjore përmes procedurës së rregullt dhe pa shmangur procesin e konsultimit publik.
15. Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe
kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit
kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka
miratuar Kuvendi6
.
16. Përkohshmëria e zbatimit të këtij akti është shpjeguar në Raportin e Komisionit përgjegjës
për çështjet ligjore, me momentin e ngritjes dhe funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo
Byro, me fillimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme, tanimë është në fazën finale për
6 Vendimi nr.5, datë 05.02.2014 i Gjykatës Kushtetuese.
8
fillimin e veprimtarisë së saj. Kësisoj, edhe nevoja e vetme, edhe pse e pajustifikuar ligjërisht, për
rregulla të posaçme, tashmë nuk ekziston më. Edhe pse Byroja Kombëtare e Hetimit, nuk ishte
funksionale të miratimin e këtij akti, sërish, shtetit shqiptar, nuk i mungon as legjislacioni dhe as
strukturat e Policisë Gjyqësore që mund të kryejnë detyrat e tyre në zbatim të kuadrit ligjor
ekzistues. Duhet që ky legjislacion të zbatohet në mënyrë permanente dhe në mënyrë objektive,
pasi lufta kundër kriminalitetit dhe aseteve kriminale nuk është kurrsesi një shfaqje televizive për
kredite politike. Kjo u evidentua qartë kur në mënyrë të pajustifikuar, angazhohen një tërësi forcash
policore të armatosura, me qëllimin e vetëm dorëzimin e një komunikimi shkresor. Kur ky veprim
mund të kryhej shumë thjesht nga një oficer policie, apo qoftë dhe nga shërbimi postar.
17. Për më tepër, po sipas parashikimeve të vetë aktit normativ, duket se përkohshmëria ka një
koncept të shtrirë në kohë, duke e kthyer zbatimin e këtij akti në një ligj të mirëfilltë që synon të
gjejë zbatim për një kohë të gjatë, duke shkelur parashikimet e ligjeve proceduriale dhe atyre të
miratuara me shumicë të cilësuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe duke dubluar institucionet
e reja të drejtësisë që kanë kompetenca të qarta kushtetuese dhe ligjore. Kësisoj, i referohemi
parashikimit të bërë në pikën 2, të nenit 29, të aktit normativ, ku përcaktohet se: “Deri më 31 mars
të vitit 2021, subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të bëjnë deklarimet pasurore
mbi të ardhurat vjetore, shtesat, pakësimet dhe ndryshimet e pasurisë përgjatë vitit 2020.”
Ndërkohë që, në nenin 38 të vetë aktit normativ, përcaktohet se: “Ky akt normativ ka efekt të
përkohshëm dhe do të zbatohet deri më 31.12.2020”.
Kjo mospërputhje është ose gabim i miratuesve të aktit normativ dhe miratuesve të ligjit nr.
18/2020, ose tregon qëllimin e vërtetë për të shtrirë në kohë efektet e këtij akti.
II. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020,
të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër
terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë
publike””, bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Neni 7 i Kushtetuës sanksionon se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet
në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.”
2. Akti normativ nr.1, datë 31.01.2020, i miratuar me ligjin nr. 18/2020, cenon parimin kushtetues
të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa
ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që
janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar.
3. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke e njohur dhe sanksionuar përqendrimin e pushtetit
ligjvënës në duart e Kuvendit të Shqipërisë ka lejuar, si raste përjashtimore, nxjerrjen e akteve me
fuqinë e ligjit edhe nga organe të tjera kushtetuese. Një nga përjashtimet është ai i parashikuar nga
neni 101 i Kushtetutës, që i njeh të drejtën Këshillit të Ministrave të nxjerrë akte normative me
9
fuqinë e ligjit. Përdorimi i këtij instrumenti ligjvënës mbetet në vlerësimin e Këshillit të
Ministrave, por çmohet se përdorimi i tij gjerësisht dhe jo në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta
do të cenonte pavarësinë e pushtetit legjislativ dhe karakterin demokratik të shtetit. Kjo e
drejtë ka natyrë lejuese dhe përjashtimore, prandaj Kushtetuta e ka kushtëzuar ushtrimin e saj me
ekzistencën e nevojës dhe urgjencës, si dhe me kontrollin përfundimtar nga Kuvendi të akteve të
nxjerra7
.
4. Për më tepër, përmbajtja e aktit normativ ka dispozita që sanksionojnë marrëdhëniet me
prokurorinë dhe gjykatën, ku parashikohen procedura të veçanta dhe vendosen afate për organet e
drejtësisë (nenet 10, 12, 18, 19, 21, 22, 23, 24, 25, 26), të cilat janë të sanksionuara në legjislacionin
në fuqi që është i miratuar me shumicë të cilësuar të Kuvendit të Shqipërisë.
Në themel të procesit ligjvënës qëndron nxjerrja e akteve juridike, të cilat duhet të
karakterizohen nga vijueshmëria dhe stabiliteti. Vendimi i Kuvendit është rezultat
përfundimtar i diskutimeve parlamentare dhe miratimi i tij duhet të arrihet vetëm nëpërmjet një
procesi të rregullt procedural8
.
Ndërsa akti normativ nr.1, dhe miratimi i tij nga Kuvendi me ligjin nr. 18/2020, jo vetëm që nuk
garanton stabilitet, vijueshmëri, por edhe miratimi i rregullave të reja nuk ka ndjekur procesin e
rregullt të miratimit të normave me karakter të përgjithshëm.
III. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të
Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit,
krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, i miratuar
në kundërshtim me nenin 7 dhe kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, ka bërë që të shkelen dhe
neni 30 i Kushtetutës, që sanksionon parimin e prezumimit të pafajësisë, parim që mbrohet
edhe nga Neni 6 (2) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 11 (1) i
Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, si dhe neni 41 i Kushtetutës.
Subjektet që i nënshtrohen këtij akti normativ, edhe pse janë nën një process penal hetimor dhe
ndaj tyre nuk ka një vendim të formës së prerë, sipas dispozitave të aktit normativ, i nënshtrohen
disa masave që kalojnë masën e proporcionalitetit dhe nuk përkojnë me procedurën që dikton Kodi
i Procedurës Penale apo legjislacioni në fuqi.
Gjithashtu, shkelja e nenit 101 të Kushtetutës në miratimin e këtij akti, që përcakton rregulla dhe
afate të sanksionuara në Kodin e Procedurës Penale, dhe ligje të miratuara në kuadër të reformës
në drejtësi, ka shkelur për pasojë nenet 81, paragrafi 2, 83, paragrafi 3, dhe 116 të Kushtetutës
së Republikës së Shqipërisë.
7 Vendim nr. 24, datë 10.11.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
8 Vendimi nr.5, datë 05.02.2014 i Gjykatës Kushtetuese.
10
1. Neni 81 i Kushtetutës përcakton se:
“1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë
zgjedhës.
2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga
Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.”
2. Ndërsa neni 116 i Kushtetutës përcakton hierarkinë e akteve, duke sanksionuar se:
“1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
a) Kushtetuta;
b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;
c) ligjet;
ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.
2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit
territorial që ushtrojnë këto organe.
3. Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore
kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të
tyre”.
Dispozitat e aktit normativ që rregullojnë afatet dhe procedurat që duhet të ndjekë
prokuroria dhe gjykata, bazuar në kërkesën e Operacionit Forca e Ligjit (OFL), janë
rregullime që sipas parashikimit të nenit 81, paragrafi 2, germat “a” dhe “d” të Kushtetutës,
duhet të ishin miratuar me ligj me shumicë të cilësuar.
Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, rregullime të tilla nuk mund të jenë në
fushën e rregullimit që përfshin një akt normativ me fuqinë e ligjit, i miratuar nga Këshilli i
Ministrave.
3. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në jurisprudencën e saj se nga rregulli i përgjithshëm i
vendimmarrjes me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi bën përjashtim tërësia e ligjeve, në lidhje me
të cilat normat kushtetuese, shprehimisht, parashikojnë një shumicë të cilësuar për miratimin e
tyre.
11
4. Gjykata Kushtetuese është shprehur në mënyrë të vazhdueshme se ligjet e zakonshme
nuk mund të trajtojnë çështje që janë parashikuar të trajtohen nga kodet apo ligjet organike.
5. Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “transferimi i kompetencës legjislative Këshillit të
Ministrave, që, përjashtimisht, të marrë masa të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence, i
nënshtrohet para së gjithash, kufizimeve kushtetuese, të cilat konsistojnë në kritere procedurale
dhe po ashtu lëndore, të përcaktueshme nga natyra e marrëdhënies konkrete që kërkon rregullim.
Në këtë kuptim, Kuvendi nuk mund të delegojë pushtetin e tij ligjbërës, por ka detyrimin
kushtetues të përmbushë kërkesat procedurale dhe lëndore për miratimin e ligjeve të cilësuara
sipas nenit 81/2 dhe 83 të Kushtetutës, në raport me nenet 1, 2, 4, 7 dhe 116 të Kushtetutës, aq
më pak Këshilli i Ministrave mund të ndërhyjë në akte normative më fuqinë e ligjit në ato fusha,
rregullimi i të cilave, expressis verbis, përbën kompetencë ekskluzive të Kuvendit”
9
.
6. Kësisoj, akti normativ miratuar me ligjin nr. 18/2020, nuk respekton as parashikimet e nenit
116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duke tejkaluar hierarkinë e normave juridike, pasi
ligjet që dalin për zbatim të një norme kushtetuese nuk mund të tejkalojnë kriteret, të cilat vetë
norma Kushtetutuese i ka parashikuar në dispozitat e saj.
7. Teoria normativiste e së drejtës ka në thelbin e saj idenë se marrëdhëniet midis normave
juridike bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Rendi juridik nuk është një radhitje e
barazvlefshme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme
vlefshmërie, dhe në secilin prej këtyre niveleve, qëndron një normë ose grup normash duke
përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj
Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike. Kushtetuta, si akt themelor i një
shteti, parashikon organet dhe kushtet në të cilat duhet të nxirren aktet normative, duke synuar
qëndrueshmërinë e tyre. Kushtetuta, mbi bazën e të cilës miratohen të gjitha aktet e tjera normative,
mund të ndërmarrë si mision të saj edhe përcaktimin e përmbajtjes së ligjeve që duhet të miratohen
në të ardhmen nga ligjvënësi. Kështu, konsiderohet si karakteristikë e kushtetutave të shkruara
përcaktimi konkret i disa parimeve kryesore, ose përjashtimi absolut i disa rrethanave që
konsiderohen si të papranueshme për të10
.
8. Miratimi me akt normativ me fuqinë e ligjit, i rregullave që për më tepër kapërcejnë
rregullimet e bëra në ligje të miratuara me shumicë të cilësuar, shkelin hapur hierarkinë e
normave sipas Kushtetutës.
9. Miratimi nga Kuvendi i aktit normativ në kapërcim të kritereve procedurale dhe lëndore
të parashikuara nga Kushtetuta, përbën një të metë in procedendo të vetë ligjit. Ndonëse
Kuvendi kishte detyrimin të zbatonte drejtpërdrejt kompetencën e parashikuar nga
9 Vendimi nr.5, datë 05.02.2014 i Gjykatës Kushtetuese.
10 Vendim nr. 3, datë 20.02.2006 i Gjykatës Kushtetuese.
12
rregullimi kushtetues, ai ka mënjanuar normat kushtetuese, në kundërshtim me nenin 4,
pika 3, të Kushtetutës11
.
10. Nenet 10 dhe 11 të aktit normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020, i japin kompetenca
Operacionit “Forca e Ligjit”, të bëjnë kërkesë të arsyetuar pranë prokurorit për marrjen e masave
parandaluese personale. Madje, në rastet e urgjencës, neni 11 i lejon Drejtorit të Përgjithshëm të
Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, që të mund të vendosë masat parandaluese personale të
parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 10, me përjashtim të masës së nxjerrjes jashtë territorit për
shtetasit e huaj për një afat deri në 1 vit. Këto parashikime bien ndesh me nenin 75/a të Kodit të
Procedurës Penale dhe me ligjin nr. 95/2016, që garanton funksionimin e Njësisë së Pavarur
Hetimore për të hetuar veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe veprat e tjera
penale të kryera vetëm nga subjektet e parashikuara në pikën 2, të nenit 135, të Kushtetutës, të
pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.
11. Këto parime dhe parashikime kushtetuese shkelen edhe nga dispozita të tjera të aktit normativ,
si neni 18, që parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, i
referon prokurorit, në mënyrë të arsyetuar, çështjen dhe i kërkon paraqitjen në gjykatë të kërkesës
për marrjen e masës së sekuestros. Ky parashikim, praktikisht jo vetëm imponon/detyron
prokurorin në kryerjen e funksioneve të tij, por shkon edhe më tej, ku pushteti ekzekutiv përmes
këtij akti normativ i rrëmben me forcë prokurorit përgjegjësitë kushtetuese dhe procedurale
për ushtrimin e hetimit dhe ndjekjes penale.
12. Neni 11, pikat 3, 4, 5, 6, dhe 7, dhe nenet 18, 19, 20, 23, dhe 24 të aktit normativ, përmbajnë
parashikime proceduriale për gjykatën dhe prokurorinë e posaçme. Këto parashikime që lidhen
kryesisht me afatet, janë të përcaktuara vetëm në Kodin e Procedurës Penale, ligj i miratuar me
shumicë të cilësuar. Ndaj këto dispozita të aktit normativ, kanë cenuar nenin 81, paragrafi 2, nenin
83, paragrafi 3, të Kushtetutës, dhe neni 116 të saj. Posaçërisht neni 83, paragrafi 3, i Kushtetutës
përcakton se, “Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të
parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh”. Parashikimet
proceduriale përcakohen në Kod, që sipas nenit 81, paragarafi 2, shkronja “dh” e Kushtetutës,
miratohen me shumicë të cilësuar.
13. Këto dispozita kushtetuese shkelen edhe nga neni 26, pika 4 e aktit normativ nr. 1, parashikim
ky që i imponon Gjykatës më të lartë që prish vendimin e formës së prerë që ka vendosur
konfiskimin e pasurisë, edhe mënyrën e vendimarrjes, duke diktuar që gjykata më e lartë të
vendosë vetëm për njohjen e vlerës së pasurisë së konfiskuar mbajtësit apo zotëruesit të së drejtës
së pronësisë. Një parashikim i tillë, cenon hapur dhe neni 41 të Kushtetutës që garanton të
drejtën e pronës private.
11 Vendimi nr.5, datë 05.02.2014 i Gjykatës Kushtetuese.
13
14. Nenet 15 dhe 19, të aktit normativ, gjithashtu shkelin nenin 244 të Kodit të Procedurës Penale
dhe për pasojë cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe janë në kundërshtim me nenin 81, paragrafi
2, nenin 83, paragrafi 3, të Kushtetutës, dhe nenin 116 të saj. Këto dispozita i japin të drejtë Policisë
së Shtetit të nisë marrjen e masave parandaluese me karakter pasuror, apo dhe vendosjen e masës
së sekuestros nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me justifikimin e nevojës dhe
urgjencës.
Sipas nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen me kërkesën e
prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa.
15. Neni 32 i aktit normativ, parashikon se me autorizim të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i
Policisë së Shtetit, mund të vendoset sekuestrimi i dokumenteve të shqyrtuara, sipas rregullave të
parashikuara në nenet 208, 209, 210 dhe 211, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe rregullave të
parashikuara në aktin normativ. Neni 208 i Kodit të Procedurës Penale, përcakton qartë se është
gjyqtari ose prokurori që disponon me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale
dhe të sendeve që lidhen me veprën penale kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e
fakteve. Kësisoj, kjo dispozitë, përveçse është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale,
miratuar me shumicë të cilësuar, është në kundërshtim edhe me nenin 81, paragrafi 2, nenin 83,
paragrafi 3, dhe nenin 116 të Kushtetutës.
16. Neni 33 i aktit normativ, që lejon aksesin për strukturat e policisë në operatorët që përdorin
rrjetet dhe ofrojnë përdorimin e shërbimeve elektronike e telefonike të çdo lloji, janë shkelje e
atributeve ekskluzive të prokurorit, të sanksionuara në nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale
dhe garancitë që ofrojnë këto parshikime dhe parashikimet e ligjit nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për
përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar.
IV. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të
Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit,
krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, bie ndesh
me nenin 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Neni 17 i Kushtetutës përcakton se:
“1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm
me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në
përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund
të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
2. Akti normativ cenon të drejtat dhe liritë themelore të sanksionuara në Kushtetutën dhe
Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
14
3. Neni 17 i Kushtetutës vendos disa kushte që duhen përmbushur, në mënyrë kumulative, në
rastin e kufizimit të të drejtave të njeriut:
• kufizimi duhet të bëhet vetëm me ligj;
• për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve;
• kufizimi të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë (parimi i proporcionalitetit);
• të mos cenojë thelbin e së drejtës;
• dhe të mos tejkalojë kufizimet e parashikuara nga KEDNJ-ja.
4. Kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut, të parashikuara në aktin normativ me fuqinë e ligjit
të Këshillit të Ministrave nuk përmbushin kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës për arsye se, akti
normativ nuk respekton elementin e domosdoshmërisë, pjesë e parimit të proporcionalitetit.
5. Kontrolli kushtetues nga Gjykata jonë Kushtetuese ka elaboruar në vlerësimin e
proporcionalitetit nëse masa ka qenë e përshtatshme për arritjen e objektivit të dëshiruar, nëse
masa ishte e domosdoshme, në kuptimin se shteti nuk kishte në dispozicion asnjë mënyrë tjetër më
pak kufizuese ndaj lirive individuale. Hapi i fundit konsiston në verifikimin nëse masa është
faktikisht jopërpjestimore me kufizimin e bërë, ose ajo që quhet proporcionaliteti në kuptimin e
ngushtë të fjalës (stricto sensu). Pra çdo kufizim duhet të kalojë të tre testet e proporcionalitetit.
Ky parim është përpunuar nga GJEDNJ. Një veprim i ndërmarrë do të jetë i ligjshëm vetëm nëse
nuk mund të arrihet nëpërmjet mënyrave të tjera12
.
6. Përkundrejt këtyre kërkesave që dikton parimi i proporcionalitetit, legjislacioni në fuqi
parashikon masa konkrete për goditjen financiare të krimit të organizuar, edhe në kuadër të
parandalimit të veprave penale dhe në mënyrë të veçantë për krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Konkretisht ky legjislacion është:
• Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë;
• Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë;
• Ligji nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe
trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar;
Ky ligj ka për objekt: Ky ligj përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për
zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave, që janë subjekt i këtij
ligji, si të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar, trafikimin dhe korrupsionin,
si dhe në kryerjen e krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji. (neni 1)
Ky ligj ka për qëllim: Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja ndaj krimit të
organizuar, trafikimit dhe korrupsionit dhe krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij
ligji përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar
ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. (neni 2)
• Ligji nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të
terrorizmit”, i ndryshuar, i cili ka për qëllim të parandalojë pastrimin e parave dhe të
12 Shih vendimet nr. 20/2006 dhe 10/2008 të Gykatës Kushtetuese
15
produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit
(neni 1).
• Ligji nr. 157/2013 ¨Për masat kundër financimit të terrorizmit¨, i ndryshuar;
• Ligji nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar
korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
7. Këto akte parashikojnë të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe organet e specializuara për të
luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndërsa akti normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr.
18/2020, ka të njëjtin objekt që rregullohet nga aktet e mësipërme, me dallimin se “përcakton
masat parandaluese me karakter të përkohshëm” dhe qëllim “ndërhyrje emergjente dhe me
karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të
organizuar […]”.
Miratimi i rregullave, që mbi të gjitha konsiderohen si të përkohshme, jo vetëm që krijon
mbivendosje ndërmjet organeve dhe normave ligjore, por cenon rëndë parimin e sigurisë
juridike.
Si ligji nr. 95/2016, ashtu dhe ligjet e tjera të sipërcituara, përfshirë dhe Kodet, janë rishikuar edhe
në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, pikërisht për të forcuar masat kundër korrupsionit
dhe krimit të organizuar.
Këto ndryshime janë bërë mbështetur në analizën e gjerë që i parapriu rishikimin e paketës ligjore
në kuadër të reformës. Ndërkohë, hedhja poshtë e punës së bërë, me justifikimin se “këto ligje nuk
po funksionojnë”, minon në tërësi besimin tek reforma në drejtësi dhe përkthehet si dështim
i saj.
Për më tepër, ndryshimet në aktet ligjore duhet të kryhen vetëm pas analizave të detajuara
të arsyeve pse ligjet në fuqi nuk po zbatohen. Ndërkohë që ndryshimi i tyre pa asnjë analizë,
dhe i kryer me nxitim dhe pa konsultim, duket vetëm se kanë një qëllim politik edhe ky i
përkohshëm.
E gjithë kjo veprimtari legjislative si e Këshillit të Ministrave dhe më pas, e Kuvendit të
Shqipërisë, duke shkelur një tërësi normash kushtetuese, dhe duke anashkaluar një tërësi
legjislacioni aktual në fuqi, nuk bën asgjë tjetër veçse cenon në themel parimin e sigurisë
juridike.
8. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt parimin e sigurisë juridike, Gjykata Kushtetuese është shprehur
se kërkohet, nga njëra anë, që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në
mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të, dhe nga
ana tjetër, që vetë ligji të mos qëndrojë statik nëse duhet t’i japë formë një koncepti. Një rregullim
i pasaktë i normës ligjore, që i lë shteg zbatuesit t’i japë asaj kuptime të ndryshme dhe që sjell
pasoja, nuk shkon në përputhje me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon
16
vetë norma. Gjithashtu, Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se mungesa e harmonizimit të
dispozitave të një ligji me ato të ligjeve të tjera mund të mos krijojë në vetvete antikushtetutshmëri,
por kur paqartësia krijon probleme të tilla që çojnë në zbatim të gabuar të dispozitave ligjore dhe
në cenim të parimit të shtetit të së drejtës e të sigurisë juridike, atëherë nuk mund të pranohet se
këto norma janë të pajtueshme edhe me frymën e Kushtetutës (shih vendimin nr. 14, datë
22.05.2006 të Gjykatës Kushtetuese)
13
.
9. Gjykata Kushtetuese është shprehur se parimi i sigurisë juridike kërkon, para së gjithash, që
rregullimet ligjore, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve, të kenë qëndrueshmëri të
mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri
të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë ndryshimin e
një situate të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi përmirëson të drejtat e fituara. Sanksionimi
i të drejtave dhe lirive të njeriut të pranuara në Kushtetutë dhe shoqërimi i tyre me masat për vënien
në jetë të tyre duhet të synojnë përmirësimin dhe rritjen e standardeve të të drejtave në kuadër të
forcimit të shtetit ligjor. Nëse masat e marra çojnë në përkeqësimin, në mënyrë të paarsyeshme, të
gjendjes ligjore të personave të tjerë, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime
të këtyre, atëherë do të dhunohet parimi kushtetues i barazisë së të drejtave dhe, në përgjithësi, do
të rrezikohet arritja e qëllimit madhor të ndërtimit të shtetit të së drejtës (shih vendimin nr.9, datë
26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese)
14
.
V. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të
Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit,
krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, bien ndesh
me nenin 27 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Neni 27 i Kushtetutës parashikon:
“1. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me
ligj.
2. Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme:
a) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
b) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë detyrimi të
caktuar me ligj;
c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale, ose për të parandaluar kryerjen prej
tij të veprës penale, ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
ç) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi, ose për shoqërimin e tij në organin kompetent;
d) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për
shoqërinë;
dh) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
13 Vendim nr. 43, datë 26.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese.
14 Vendim nr. 43, datë 26.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese.
17
3. Askujt nuk mund t’i hiqet liria vetëm për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim
kontraktor.”
Akti normativ, referuar parashikimeve të nenit 10, përcakton një sërë masash parandaluese
personale që ndërmerren ndaj personave subjekt të këtij akti normativ. Msat që parashikon ky akt
normativ, hyjnë në sferën e juridiksionit penal, dhe janë të përcaktuara në nenin 228 dhe 229 të
Kodit të Procedurës Penale, që përcaktojnë kushte dhe kritere për caktimin e masave të sigurimit
personal. Ndëra nga përmbajtja e aktit normativ, mbetet e paqartë nëse jemi para një procesi të
mirëfilltë penal apo jo. Në çdo rast, llojet e masave të sigurimit personal, kriteret, kushtet dhe
organet përgjegjëse për aplikimin e tyre, mund të përcaktohen vetëm nga Kuvendi, përmes
ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, i miratuar me shumicë të cilësuar. Kësisoj, këto
parashikime të përcaktuara nga qeveria me një akt normativ bien në kundërshtim me parashikimet
e Kodit të Procedurës Penale, dhe nuk përmbushin kërkesat dhe garancitë minimale të parashikuara
në nenin 27 të Kushtetutës dhe me nenin 5 të KEDNJ-së.
VI. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020,
të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër
terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””,
bie ndesh me nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Neni 42 i Kushtetutës sanksionon se:
“1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa
një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë,
ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik
brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”
2. Gjykimi nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj, është një nga elementet e
rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i garantuar nga neni 42 i Kushtetutës.
3. Gjykata Kushtetuese, nën dritën e jurisprudencës së GJEDNJ-së (shih çështjet Von Hoffen
kundër Lihtenshtajnit, 2 korrik 2006 §.35; Hozee kundër Hollandës, 22 maj 1998 § 43), ka theksuar
se procesi i rregullt ligjor dhe gjykimi brenda një afati të arsyeshëm shtrihet edhe gjatë fazës së
hetimeve paraprake (shih vendimin nr. 47, datë 7.11.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë
se garancitë e parashikuara në nenin 42 të Kushtetutës, si dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane
të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) zbatohen jo vetëm ndaj proceseve gjyqësore, por edhe në fazat
që e paraprijnë, sikurse në ato që e vijojnë. Në çështjet penale këto garanci përfshijnë para
së gjithash hetimet e kryera nga Policia15
.
15 Vendim nr. 43, datë 26.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese.
18
4. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se edhe organet e tjera, që nuk janë gjykata, por që ushtrojnë
funksione që janë përcaktuese në sferën e të drejtave dhe lirive themelore të individit, duhet të jenë
të pavarura dhe të paanshme në veprimtarinë e tyre. Për rrjedhojë, çdo individ ka të drejtë të hetohet
nga një organ i pavarur dhe i paanshëm i caktuar me ligj, në mënyrë që ai (organi) të jetë i aftë të
veprojë pa asnjë influencë nga kushdo dhe për çfarëdolloj arsye. Me fjalët të tjera këto organe
duhet të ushtrojnë veprimtarinë tyre në mënyrë të pavarur nga çdo organ tjetër, si dhe të veprojnë
vetëm në zbatim të normave të së drejtës16
.
5. Ndërkohë, në kundërshtim me sa më sipër, parashikimet e aktit normativ që:
– në nenin 11 të tij, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të vendosë
masa parandaluese personale;
– në nenin 19, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për sekuestrimin
e pasurisë;
– në nenin 28, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për vendosjen
së masave parandaluese me karakter ekonomik;
duke përcaktuar kështu sanksione të vëna nga një organ që është në varësi të ekzekutivit, pa
asnjë mundësi dëgjimi apo mbrojtjeje, sanksione dhe kufizime këto që Kodi i Procedurës
Penale ia njeh si prerogativë vetëm prokurorisë dhe gjykatës, cenojnë drejtpërdrejtë edhe
nenin 42 të Kushtetutës.
VII. Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020,
të Këshillit të Ministrave, ‘Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër
terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””,
të ndryshuar’”, bie ndesh me nenin 135, paragrafi 2, nenin 148/2 dhe nenin 149/ç të
Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Neni 135 i Kushtetutës, në paragrafin 2, përcakton se:
“2. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe
akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të
Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të
Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit,
anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të
institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat
kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.”
Neni 148 i Kushtetutës, në paragrafin 2 përcakton se:
16 Vendim nr. 43, datë 26.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese.
19
“2. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të
saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale,
sipas ligjit.”
Neni 149/ç i Kushtetutës përcakton se:
“Qenia Prokuror i Përgjithshëm, prokuror ose anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk
pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale
që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose
shkencor.”
1. Neni 8 i aktit normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020, parashikon ngritjen e Komiteti
Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, që në
përbërje të tij ka: ministrin e Brendshëm (i cili edhe e kryeson), ministrin e Drejtësisë, ministrin e
Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e
Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Qendrës së Koordonimit kundër Ekstremizmit të
Dhunshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
2. Parashikimi i pjesëmarrjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së
Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, jo vetëm që nuk përputhet me funksionet
kushtetuese dhe ligjore të tyre, por cenon pavarësinë dhe paanësinë e tyre në kryerjen e detyrës.
Ajo është një “gllabërim” institucional nga ana e pushtetit ekzekutiv i tagrave që i janë dhënë në
mënyrë eksplicite organit të akuzës si një organ i mirëlarguar/distancuar nga pushtetit ekzekutiv.
Madje, ky parashikim bie forcërisht ndesh edhe me vetë frymën e mishëruar nga legjislacioni i
hartuar në kuadër të reformës në drejtësi për një prokurori të pavarur, kontrollin e veprimtarisë së
cilës Kushtetuta ua ka njohur vetëm organeve kushtetuese të pavaruara.
3. Pjesëmarrja e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar në këtë Komitet nuk duhet të parashikohet në kompetencat e këtij organi. Kjo pasi,
minon haptazi pozitën e tij për ushtrimin e ndjekjes penale. Qenia pjesë e këtij Komitetimekanizmi ligjor të pushtetit ekzekutiv, e vendos atë në pozitë aspak të favorshme për ushtrimin
e funksioneve kushetutese të ndjekjes penale, kur subjekte të hetimit apo persona në ndjekje e sipër
prej strukturës në varësi të tij, mund të jenë edhe vetë anëtarët e Këshillit të Ministrave, sipas nenit
135, paragrafi 2 i Kushtetutës pjesë e këtij komiteti.
4. Sipas nenit 135, paragrafi 2, nenit 148/2 dhe nenit 149/ç të Kushtetutës, drejtuesi i
Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk mundet të kryejë si
pjesë e Komitetit detyrat që përcakton neni 8, pika 3, e aktit normativ dhe konkretisht:
– ndjekjen dhe zbatimin e politikave dhe harton planin e masave për bashkërendimin e
veprimeve për të parandaluar dhe goditur/luftuar krimin e organizuar, terrorizmin;
20
– vlerësimin e ecurisë së zbatimit të masave parandaluese të dhëna apo të aplikuara në zbatim
të këtij akti normativ;
– koordinimin, dhënien e mendimeve si dhe orientimeve në lidhje me ndjekjen e praktikave
më të mira në lidhje me procedurat e zbatimit të masave parandaluese;
– si dhe për çështje të tjera që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të
angazhimit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ky lloj angazhimi nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, dhe të qenit raportues përpara Këshillit
të Ministrave, do të cenonte shumë në dukje pavarësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme,
dhe rrjedhimisht, edhe të organit që ai përfaqëson, e do ta bënte atë të dukej si një vartës i
ekzekutivit apo një strukturë zgjatuese e saj.
5. Këto janë detyra ekskluzive të organeve që përcakton ligji dhe nuk hyjnë në kompetencat
as të ministrit të Brendshëm, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Financave dhe Ekonomisë,
apo drejtorit të Qendrës së Koordonimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
6. Nga ana tjetër, me aktin normativ (Kreu II i tij), Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme i jepet
atributi, përkatësisht për të kërkuar dhe vendosur lidhur me masat parandaluese me karakter
personal, pasuror dhe ekonomik. Këto masa jepen jo vetëm ndaj subjekteve të dënuar apo nën
hetim për krim të organizuar, por edhe ndaj atyre për krime të rënda. Këto kompetenca, të
parashikuara në një akt normativ me fuqinë e ligjit, tejkalojnë ato të parashikuara në nenin
148/dh dhe 135, pika 2 të Kushtetutës. Zgjerimi i kompetencës lëndore të Prokurorisë dhe
Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit nuk mund të bëhet as me akt normativ me fuqinë
e ligjit, por gjithashtu as me ligj me shumicë të cilësuar, pasi kompetenca lëndore e këtij
organi është e përcaktuar në Kushtetutë.
VIII.Mungesa e konsultimit
Nisma e nxituar për miratimin e këtyre rregullave, ka shmangur procesin e konsultimit publik, të
sanksionuar me ligj të posaçëm. Edhe diskutimet në Komisionet përkatëse parlamentare, nuk kanë
marrë në konsideratë kërkesat për të konsultuar këtë akt para miratimit të tij.
Një grup organizatash të shoqërisë civile jo vetëm që kanë kërkuar zhvillimin e konsultimit për
këtë nismë, por edhe i janë drejtuar zyrtarisht Kuvendit, duke publikuar edhe një analizë të plotë
kushtetuese dhe ligjore të parshikimeve të aktit normative nr. 1. Ky dokument dhe këto kërkesa,
nuk janë marrë në konsideratë.
Këto organizata të shoqërisë civile kanë vërejtur me shqetësim se akti normativ nr.1, dt.31.01.2020
cenon parime të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve,
parimin e pavarësisë së prokurorisë, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut17
.
17 Për më shumë, shikoni link-un: https://ahc.org.al/oponence-ligjore-per-aktin-normativ-me-fuqine-e-ligjit-tekeshillit-te-ministrave-nr-1-dt-31-01-2020/
21
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj,
kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me
fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për masat parandaluese në kuadër
të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të
rendit e sigurisë publike’”, pasi ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e
Republikës së Shqipërisë.
Gjendet me vend të citohet edhe një herë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese mbi nxjerrjen dhe
miratimin e akteve normative me fuqinë e ligjit: Mosrespektimi nga Këshilli i Ministrave, i
kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit
kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ, dhe po ashtu, një të metë të ligjit që ka
miratuar Kuvendi18
.
Në këto kushte, është detyrim i Kuvendit të rishqyrtojë edhe një herë aktin normativ duke marrë
në vlerësim jo vetëm të gjitha elementet që përcakton akti normativ me fuqinë e ligjit dhe të
vlerësojë pajtueshmërinë e përmbajtjes së tyre në raport me Kushtetutën dhe ligjet e tjera në fuqi,
por mbështetur në të dhëna konkrete, pasi të ketë vlerësuar nevojën për përmirësimin e
legjislacionit në fuqi, t`i realizojë ato përmes procedurës që dikton Kushtetuta dhe jurisprudenca e
Gjykatës Kushtetuese.
Me respekt,
Ilir Meta

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb