Ish-kryeministri Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij, ka uruar Ilir Metën dhe anëtarët e konventës të Partisë së Lirisë.

Berisha hodhi akuza në drejtim të qeverisë Rama, duke thënë se shkelmojnë ligjet dhe Kushtetutën, në interes të pasurimit personal. Ish-kreu i qeverisë deklaroi se sot është koha e luftëtarëve dhe guximtarëve.

Sali Berisha: Mirëmbrëma, përshëndetjet më të zjarrta luftëtarëve të lirisë, qëndrestarëve të pamposhtur.

Urimet më të përzemërta presidentit të Partisë së Lirisë, anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të saj për konventën historike, konventën e kthesës, konventën e betejës fitimtare.

Një përshëndetje të përzemërt zonjës së nderuar, atdhetares së flaktë, intelektuales, bashkëpunëtores të ngushtë të presidentit Rugova, zonjës Edita Tahiri.

Një nderim të madh, të veçantë heroit të vërtetë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, Ylli Bodinakut, vepra e të cilit është sot më frymëzuese se kurrë.

Miqtë e mi, Ylli Bodinaku është ai qëndrestar, ai qytetar, ai shqiptar që vendosi në emër të lirisë të niset drejt vdekjes, nën moton o sot o kurrë dhe theu në Tiranë, Murin e Berlinit. Ylli Bodinaku kur ndërmori aktin e tij nuk kishte mbrapa një parti, kishte idealet e tij dhe kauzën e drejtë për të cilën ai vendosi të sakrifikojë dhe jetën pa marrë parasysh asgjë sepse i tha vetes, ose i lirë dhe me dinjitet, ose i vdekur. Kështu nuk durohet.

Të dashur miq, sot ne përballemi pas 32 vitesh me një diktaturë më të keqe se ajo e vitit 1990. Me një diktaturë, eksponentët e të cilës vjedhin qytetarët shqiptarë çdo ditë dhe na poshtërojnë.

Eksponentët e të cilës shkelmojnë ligjet dhe Kushtetutën për interesat e pasurimit të tyre. Drejtues të të cilës, Edi Rama, Erion Veliaj, Taulant Balla janë simbole më të nxira të antishqiptarizmit. Miqtë e mi, Shqipëria ka qindra mijëra opozitarë për të cilët kam respektin më të madh.

Por çdo opozitar, çdo qytetar i këtij vendi duhet ta ketë të qartë si kristali se koha sot është e luftëtarëve. Se koha është e guximtarëve. Se koha është e atyre që marrin vendime si Bodinaku 32 vite më parë. Se koha është e atyre që vendosin të mbrojnë dinjitetin, me çdo çmim, me çdo kusht.

Koha është e atyre që i thonë vetes, ata që po na poshtërojnë në këtë mënyrë, ata që nuk njohin kufi në armiqësinë ndaj nesh, do përballen me zemërimin tonë, zemërimin e pakufishëm, zemërimin gjer në fitore.

Edhe njëherë këtu para jush kam një përshëndetje të përzemërt për ata burra dhe gra, por veçanërisht për ato zonja, nëna, motra që çanë barrikadën të premten e kaluar, përmbysën barrikadën që mbronte hajdutët.

Nderim të madh.

Nuk ka forcë në botë që të na ndalojë ne!

Miqtë e mi, a mundet që njerëzit e idealeve, a mundet që qytetarët patriotë, atdhedashës, a mundet që qytetarët liridashës të shtypen, të poshtërohen nga një grusht hajdutësh të shpifur?

Kurrë nuk duhet të pranojmë!

Të gatshëm për çdo sakrificë.

Secili nga ne të mos harrojë himnet tona, ato kanë qenë motivi, lajtmotivi i ekzistencës së shqiptarëve.

Ja të vdesim, ja të rrojmë, ky është kushtrimi ynë”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb