Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Landit të Schleswing Holstein të Republikës Federale të Gjermanisë u prit në takim Kryetari i Parlamentit të Shtetit z. Klaus Schlie.

Gjatë takimit Meta shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe falënderoi për takimin duke nënvizuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Ai vlerësoi marrëdhëniet ndërparlamentare si instrument të rëndësishëm për të forcuar dhe konsoliduar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve duke shprehur bindjen se edhe kjo vizitë do t’i shërbejë këtij qëllimi.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen dhe vlerësoi kontributin e Gjermanisë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimin në Bashkimin Evropian.

Z. Meta dhe Z. Klaus Schlie ndanë bindjen se forcimi i shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Landit të Schleswing Holstein i shërben forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve në të ardhmen.

Në këtë kontekst të dy Kryetaret inkurajuan intensifikimin e kontakteve mes dy institucioneve homologe nëpërmjet shkëmbimit të vizitave reciproke edhe institucionalizimit të tyre nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Meta shprehu vullnetin për një bashkëpunimin të drejtpërdrejtë me Landin e Schleswing Holstein duke shfrytëzuar potencialet në fushat e bujqësisë, turizmit, industrisë së peshkimit, tregtisë dhe transportit detar, energjisë së rinovueshme si dhe në fushën e kërkimit shkencor.

Kryetari i Kuvendit, e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Shtetit të Landit të Schleswing Holstein z. Klaus Schlie të vizitojë zyrtarisht Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: