Presidenti i Republikës, Sh.T. Z Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtar Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me Dekoratën “Nderi i Kombit.”, me motivacionin:

“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar përfaqësuesve të qeverisë, ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë znj Yuri Kim, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, akademikëve, historianëve, familjarëve dhe personaliteteve të ftuara, Presidenti Meta u shpreh se “120 vullnetarë shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA, erdhën në Shqipëri për të dhënë ndihmën e tyre për çështjen kombëtare shqiptare, duke lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun edhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta e Vlorës.

“Me këngët e saj, Banda Muzikore ‘Vatra’ mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës”, tha Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit, në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të luftës së Vlorës, ka vlerësuar edhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, me motivacionin:
“Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”.

Presidenti Meta gjatë ceremonisë së dekorimit theksoi “Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës “Vatra”.

“Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar”, u shpreh Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

FJALA E PLOTË
E nderuar zonja Ministre, e nderuar zonja Ambasadore, i nderuar zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm, të nderuar të ftuar.
Jam i lumtur që kur na ndajnë vetëm pak ditë nga çlirimi i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë.100-vjet më pare.
Në kuadër të 100-vjetorit të kësaj epopeje të jashtëzakonshme, jemi përsëri së bashku, për të nderuar një shekull tradite të madhe të atdhedashurisë por edhe të muzikës shqiptare.
Sot ne nderojmë Bandën Kombëtare VATRA dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura, të cilat mbartin simbolikёn e shtetit shqiptar dhe tё institucioneve tё lidhura ngushtёsisht me tё.
Këto dy banda janë e djeshmja dhe e sotmja e një tradite të bukur muzikore shqiptaro-amerikane. Kjo traditë e ka zanafillën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me krijimin e Bandës Kombëtare VATRA nga Thoma Nasi, trashëgimia e të cilës vijon sot, pas 100 vitesh, me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura.
Krijimi i Bandës Kombëtare VATRA do të ishte i pamundur pa Federatën “Vatra”, si dhe pa kujdesin dhe angazhimin patriotik e artistik të Thoma Nasit. Banda VATRA u krijua jo si përfaqësuese e një shoqërie të veçantë shqiptarësh të Amerikës, por si emblema e vetme e tyre muzikore.
Nëpërmjet Bandës, Federata VATRA zgjeroi dimensionin e saj kulturor, apo siç e ka theksuar Ernest Koliqi: “Vatra” ngrehi në krye të veprimtarisë flamurin e kulturës”.
Banda Kombëtare VATRA kishte një formacion muzikor me një ndjenjë atdhedashurie të lartë, që erdhi në Shqipëri, në momentin kur atdheu kishte më shumë nevojë për të.
Lufta e Vlorës e vitit 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesve. Thënia e Nolit “Mbahu nëne, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj, përmes akteve sublime të më shumë se 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA dhe tek veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare VATRA në atdhe.
Banda Kombëtare VATRA erdhi në Shqipëri për të dhënë ndihmën e saj për çështjen kombëtare shqiptare me luftëtarët vullnetarë, që kishin lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, si dhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta finale e Vlorës.
Me këngët e saj, Banda VATRA mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës.
Kjo luftë e pashembullt, ku luftonte një popull i vogël dhe i paarmatosur me një fuqi të madhe, kishte marrë përmasat e një betejë
epike. Dhe po epike u bë edhe kënga “Vlora-Vlora”, simboli i kësaj luftë.
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora!
Kjo këngë simbol, e kënduar nga Banda VATRA shoqëroi Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” dhe luftëtarët popullorë, më 3 shtator 1920, në manifestimet e fitores së luftës së Vlorës.
Edhe sot, në ditën e dekorimit të Bandës Kombëtare VATRA, kemi në dorë, për herë të parë, publikimin e studimit të Akademikut Vasil Tole “Banda Kombëtare VATRA- Një histori unike shqiptaro-amerikane” dhe CD e këngës patriotike Vlora-Vlora.
Falë Thoma Nasit dhe bandës VATRA, roli i muzikës në vitet 20-të, u ridimensionua në shoqërinë shqiptare.
Qeveritë shqiptare u angazhuan për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij.
Banda VATRA dhe pjesëtarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim apo një shkollë e re. Roli i saj ishte një katalizator procesesh emancipimi kulturor në vite të vështira politike dhe ekonomike për shqiptarët.
Banda VATRA është formacioni, që themeloi për të parën herë jetën muzikore në qytetet shqiptare. Solli konceptin e edukimit muzikor në shkollat tona. Ideoi botimet muzikore në vend dhe krijoi të parën Bandë Presidenciale e më pas Bandën Mbretërore të Shqipërisë.
Vlerësimi që i bëjmë sot Bandës VATRA është nderim për të gjithë anëtarët e saj dhe drejtuesit Thoma Nasi, të cilët lanë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, që deshën mbi gjithçka lirinë për vendin e tyre dhe që e shprehën këtë dashuri me muzikën e tyre.
“Një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si Banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij”- do të shprehej profesor Sederholm, pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920-të.
Banda VATRA mbetet edhe sot një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, të cilët në kohën kur atdheut i nevojitet liria, demokracia dhe progresi duhet të kontribuojnë për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!
“Patriotizëm do të thotë t’i dalësh në krah vendit tënd,” ka thënë Presidenti Amerikan Roosevelt. Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve do i dalin gjithmonë në krah atdheut për të mbrojtur lirinë dhe progresin e popullit shqiptar.
Në nderim të gjithë veprimtarisë patriotike dhe kulturore të Bandës Kombëtare VATRA, kam kënaqësinë që t’i akordoj dekoratën e lartë “Nderi i Kombit.”
I përjetshëm kujtimi dhe vepra e Bandës Kombëtare VATRA!

ORKESTRA FRYMORE E FORCAVE TË ARMATOSURA.

Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është vazhduesja e traditës së Bandës Kombëtare VATRA, duke patur si bërthamë të lindjes së saj pikërisht këtë bandë.

Si Banda Presidenciale dhe ajo Mbretërore të themeluar nga Mbreti Zog, ashtu edhe Orkestra Frymore e Ushtrisë e themeluar në vitin 1944, u ndërtuan mbi bazën e elementëve instrumentistë të Bandës VATRA të ardhur në Luftën e Vlorës dhe që qëndruan në Shqipëri.

Ish-pjesëtarët e bandës muzikore VATRA ishin muzikantёt mё të përgatitur për interpretimin e repertorit patriotik.

Gjatë luftës Nacional Çlirimtare shumë muzikantë morën armët dhe veglat e tyre muzikore, duke formuar jo vetëm orkestrën e ushtrisë, nën drejtimin e dirigjentit partizan Kristaq Panduku, por edhe një formacion ushtarak, që dha kontributin e tij në luftën për çlirimin e vendit
Në përfundim të luftës, orkestra frymore i dha atdheut dëshmorët e saj si Abdulla Beja dhe Vlash Parapani. Disa prej tyre të plagosur rëndë, si muzikanti partizan Petraq Quka, mbetën invalidë për tërë jetën.

Dukej se po përsëritej epopeja e Bandës VATRA: Me pushkë dhe vegël muzikore për atdhenë!

Historia e Orkestrës Frymore të Ushtrisë apo Bandës së Ushtrisë, pas çlirimit të vendit, është e pasur me koncerte e aktivitete të shumta kulturore e artistike.

Duke filluar me daljen e saj të parë zyrtare në Tiranën e çliruar më 18 nëntor 1944, për të vijuar më tej me koncerte, përgatitjen e paradës së parë të forcave partizane, etj.
Banda e Ushtrisë kishte ende në radhët e saj ish-muzikantët e VATRËS si dhe muzikantë të huaj, të cilët ishin angazhuar në formacionin e ri frymor në radhët e ushtrisë partizane.

Detyrat e Bandës së Ushtrisë kanë qenë të shumta si në pritjet zyrtare shtetërore, në manifestime kulturore e sportive, ceremoni e parada ushtarake, përvjetorë e aksione kombëtare.

Kontributi i saj po ashtu ka qenë shumë i madh, si për krijimin e orkestrës filarmonike shqiptare dhe të Ansamblit të Ushtrisë, ashtu edhe për rritjen cilësore të orkestrave të ndryshme ushtarake.

Sot Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura (OFFA) është formacioni muzikor artistiko-ushtarak që shërben dhe ka si mision të tij ceremonialin ushtarak dhe shtetëror, duke u përfaqësuar denjësisht në festa kombëtare dhe aktivitete ndërkombëtare.

Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës “Vatra”.
Paraardhësit e muzikantëve, që sot shërbejnë në ceremonialin e shtetit, paradat ushtarake dhe festat kombëtare, ishin emigrantë, që gjatë javës punonin fabrikave dhe fermave bujqësore amerikane, dhe të dielave stërviteshin në instrumente duke kënduar Marsejezën dhe Himnin Kombëtar Shqiptar.

Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar.
Në nderim të gjithë veprimtarisë, si formacion unik, interpretuesi dhe prezantuesi më dinjitoz i trinomit -Komb – Flamur – Himn, vlerёsoj Orkestrёn Frymore tё Forcave tё Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb