Në ditën e 80-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët kanë vijuar të përcjellin mesazhe për politikën, emigracionin dhe situatën ekonomike në vend.
Një prej protestuesve u bëri thirrje të rinjve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në Shqipëri dhe të kontribuojnë për ndryshimin e situatës.
Duke iu referuar emigrantëve, ai u shpreh: “E morët mjaltin, kthehuni në koshere, mendoni për ne! Mos u dorëzoni, Shqipëria po shitet”.
Qytetari kundërshtoi edhe shprehjen “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”, duke thënë se beson se vendi ka ende njerëz që mund të reagojnë.
“Nuk jam dakord me këtë shprehje, sepse ka mijëra bija nënash që do t’i dalin zot”, tha ai.
Ai ngriti shqetësimin edhe për vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje për shtresat në nevojë.
“Taulant, kalo ligj për shtresat në nevojë, çfarë po bën o njeri? Kam parë dy prindër që i thonin shitëses: ‘A ke me çmime të ulëta?’”, u shpreh protestuesi.
Në fund, ai përsëriti thirrjen drejtuar shqiptarëve në emigracion që të mos harrojnë vendin e tyre dhe të rikthehen në Atdhe.
“Jemi shqiptarë. Nuk duam kostume dhe tangërllëqe. Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët!”, përfundoi ai.
