Rafa Leao është një hap larg Milan, me yllin portugez që menjëherë pas përfundimit të sezonit reagoi publikisht duke lëshuar mesazhe të qarta lamtumire. Vërshëllimat e tifozëve kuqezi, në pjesën më të madhe të sezonit, i vendosën “kapakun” të ardhmes së Rafa Leao-s, i cili me shumë gjasa pas përfundimit të Botërorit “FIFA2026” do të largohet nga Milano. Rafa Leao dhe Milan mbyllën një sezon të dështuar në çdo aspekt teksa nuk arritën të siguronin një biletë për në Champions League.
Në këto kushte, largimi i tij duket i pashmangshëm, me kuqezinjtë që pritet t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni. Milan vlerëson kartonin e Leao-s me 50 milionë euro, shifër kjo që do t’i shërbejë për të përmirësuar bilancet financiare dhe sigurisht është një paketë e rëndësishme ekonomike për të lëvizur në merkaton në hyrje.
Lajmi i mirë për Milan është fakti që për Leaon ka ende shumë admirues edhe pse portugezi është gjithnjë e më larg formës së tij më të mirë dhe emrit që përfaqëson. Në Premier League, Chelsea mbetet në “dritare” për të kuptuar më qartë situatën e tij, por Leao ka admirues edhe në Spanjë e Gjermani. Në Turqi, gjithashtu janë disa ekipe si Fenerbahce apo Galatasary, të gatshme për të investuar miliona euro për kartonin e Rafa Leao-s.
