Një trajtim eksperimental që mund të ndihmojë në rritjen e një “mëlçie në miniaturë” është aplikuar për herë të parë te një njeri. Procedura e zhvilluar nga kompania bioteknologjike LyGenesis shënon fillimin e testeve klinike për pacientët që kanë probleme të rënda me mëlçinë, por nuk kanë mundur të përfitojnë një transplant.

Metoda është e pazakontë: shkencëtarët ndikuan qeliza të shëndetshme mëlçie të marra nga një dhurues, në një nyje limfatike në abdomenin e sipërm të pacientit. Ideja është që për disa muaj qelizat do të shumëfishohen dhe do të ‘pushtojnë’ nyjen për të krijuar një strukturë që mund të kryejë filtrimin e gjakut te pacienti. Pacienti mbi të cilin u testua kjo kurë po rikuperohet dhe ka dalë nga klinika. Mjekët do duhet ta monitorojnë nga afër për infeksione sepse ai duhet të marrë ilaçe imunosupresive që trupi mos të refuzojë qelizat e dhuruesit.

LyGenesis po provon këtë metodë për të ndihmuar njerëzit dhe për të përdorur mëlçitë e dhuruara që mund të përfundojnë në kosh sepse operacioni i pacientit që përputhet me të nuk është realizuar në kohë. Qelizat e dhuruesit kalojnë përmes një tubi në fyt dhe injektohen në një nyje limfatike pranë mëlçisë. Nyjet limfatike filtrojnë mbetjet e organizmit dhe janë pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar, ideale për rritjen e “mini mëlçive”. Ato marrin një sasi të madhe gjaku dhe ka qindra prej tyre në të gjithë trupin, ndaj nëse disa shndërrohen në mëlçi, të tjerat mund të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Deri më tani trajtimi ka funksionuar te minjtë, derrat dhe qentë. Mëlçia e re nuk do të rritet pafundësisht. Organi në miniaturë do të presë sinjalet kimike të stresit nga mëlçia që po vdes në mënyrë që të vazhdojë rritjen. Pasi organi i ri stabilizon filtrimin e gjakut, nuk rritet më sepse zhduket sinjali i stresit. Gjithsesi, nuk është ende e qartë se sa do të rriten “mini mëlçitë” në organizmin e njeriut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb